10 punëtorë të vdekur në vendin e punës

Isuf Azemi nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) thotë se gjatë pesë muajve të parë të këtij viti në vendet e tyre të punës kanë humbur jetën 10 persona. Sipas tij, kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Vetëm gjatë këtyre pesë muajve të parë të vitit 2017, 10 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës në sektorin privat.

Por, sipas përfaqësueseve të BSPK-së, kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë.

Isuf Azemi, nga BSPK-ja, thotë se askush në Kosovë nuk kujdeset për të drejtat e punëtoreve, pasi që, sipas tij, ata punojnë në kushte tejet të rënda, ku edhe po e humbin jetën.

“Pas inspektimit që kemi bërë para disa ditëve mund të thuhet se vetëm Zoti i ruan punëtorët, e nuk ka numër më të madh, duke e marrë parasysh gjendjen në të cilën punojnë ata në sektorin privat. Për këta punëtorë nuk e çanë kokën askush. Ky shtet është duke u interesuar vetëm si t’i marrë tatimet, por jo edhe si të kujdeset për qytetarët”, ka thënë ai, shkruan Zëri.

Azemi më tutje tregon se gjatë inspektimeve në të shumtën e rasteve kanë hasur në raste kur punëtoret punojnë pa asnjë mjet mbrojtës.

Sipas tij, më shumë se 150 mijë punëtorë në Kosovë punojnë pa kontrata pune.

Sipas Azemit, fajtore për këtë gjendje në sektorin privat është Ministria e Punës, por edhe sindikatat e punëtorëve.

“Fajtore për këtë është Ministria e Punës, por edhe ne si sindikatë, pasi që kemi raste të shumta kur punëtori bëhet pjesë e Sindikatës, atëherë ai ka telashe me pronarin e kompanisë, i cili i sanksionon këta punëtorë”, tregon ai.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme