Gazetare: Fatlume Dervishi
Liderët e Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të BE-së dhe mbështetës të procesit nga radhët e vendeve anëtare, u mblodhën në Berlin në 10 vjetorin e fillimit të Procesit të Berlinit. Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula Fon Der Lajen tha se zgjerimi është rikthyer si prioritet i BE-së kurse plani i rritjes për vendet kandidate dhe Kosovën, është një hap më afër tregut të përbashkët me unionin.
“Ne kishim nevojë për një urë mes tregut të përbashkët rajonal dhe tregut të përbashkët evropian dhe kjo urë është plani ynë i rritjes për Ballkanin Perëndimor, investim 6 miliard eurosh. Plani i rritjes dhe procesi i Berlinit janë të ndërthurur. Me planin e rritjes ne hapim dyert në sektorë të ndryshëm të tregut të përbashkët të BE-së dhe për ta shfrytëzuar atë, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të zbatojnë reforma të caktuara”, tha Ursula Fon Der Lajen, presidente e Komisionit Evropian.
Kancelari gjerman Olaf Sholc, si nikoqir i samitit, bëri thirrje për rikthimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Na duhet një dinamikë e re… do t’u thosha miqve nga Beogradi dhe Prishtina sot: Ju lutem mos lejoni që e kaluara t’ju frenojë në rrugën drejt një të ardhmeje paqësore dhe prosperuese. Jam i bindur se kjo e ardhme gjendet në BE dhe ekziston vetëm një rrugë që çon atje: zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura”, tha Olaf Sholc, kancelar i Gjermanisë.
Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 me qëllim të bashkëpunimit më të ngushtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndër çështjet që janë diskutuar vazhdimisht janë ato për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe ajo për përshpejtim të rritjes ekonomike dhe krijim të vendeve të punës përmes lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave. Asnjëra prej tyre nuk është zbatuar sipas dinamikës dhe planit fillestar. Arritja e vetme deri tani është marrëveshja për “roaming” apo heqjen graduale të tarifave për telefoninë mobile dhe internetin, që ka hyrë në fuqi në vitin 2023./Alsat.mk