Hajnat para dy netësh kanë targetuar një shtëpi të pasur në fshatin Piranë të Prizrenit, dhe aty kanë arritur që të vjedhin hiç më pak se 100 mijë euro.
Lajmin për këtë vjedhje, e cila besohet se ka ndodhur të shtunën rreth orës 20:20 deri në 22:30, e ka bërë të ditur Policia e Kosovës në Prizren.
Ndërsa Gazeta Metro, nga burime brenda policisë, mëson se shtëpia e cila ka qenë cak i hajnave është e biznesmenit të njohur prizrenas Xhavit Ukaj. Ky i fundit aktualisht është edhe deputet i LDK’së në Kuvendin Komunal të Prizrenit, ndërsa nga viti 2013 deri në vitin 2014 ka qenë edhe deputet i LDK’së në Kuvendin e Kosovës.
Rastin e ka konfirmuar edhe vetë deputeti komunal i Prizrenit dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, i cili tha se të gjitha 100 mijë eurot i ka nxjerrur nga banka NLB.
“Po, tek unë ka ndodhë. Në kohën e lojës, dikush ka hyrë dhe ka marrë 100 mijë euro nga shtëpia ime”, ka thënë Ukaj.
Ndërkaq, Ukaj ka thënë se përveç këtyre 100 mijë, hajnat nuk kanë kursyer as rreth 160 euro të familjarëve të tjerë nëpër shtëpi, e po ashtu as një qafore ari.
Më herët Policia konfirmoi rastin, duke potencuar se sipas raporteve të hetimit dyshohet se vjedhja ka ndodhur rreth orës 20:20 deri në 22:30.
“Në orët e vona të mbrëmjes, policia në Prizren është njoftuar për një vjedhje të rëndë e cila ishte raportuar të ketë ndodhur në shtëpinë e një qytetari në fshatin Piranë. Sipas raporteve hetimore thuhet se në intervalin kohor prej orës 20:20 minuta deri më 22:30 minuta dikush kishte hyrë në shtëpi dhe në një dhomë kishte marrë 100.000 euro dhe një qafore të artë. Policia ka kryer procedurat e këqyrjes së vendit të ngjarjes dha ka nisur me hetimin e rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkohë, Policia po vazhdon hetimet për rastin dhe akoma nuk e ka asnjë pistë të qartë hetimi se kush mund të ketë gisht në vjedhjen e një shume kaq të madhe parash.
Ndryshe, Ukaj është pronar i kompanisë ‘Fatoni’ e cila ka në pronësi tregun e Prizrenit, pika të karburantit, e edhe një supermarket në fshatin Piranë.