100 mijë votues në listë pa dokumente të vlefshme, Xhaferi: Qytetarët kanë kohë të nxjerrin dokumente

Gazetare: Fatlume Dervishi

Kryeministri teknik Talat Xhaferi vlerëson se ka kohë të mjaftueshme deri në zgjedhje që rreth 100 mijë qytetarë që janë në listën zgjedhore të pajisen me letërnjoftime dhe pasaporta që të mund të votojnë në ditën e zgjedhjeve.

“Duke pasur parasysh se ka edhe 50 ditë deri në zgjedhje, me këtë dinamikë, 100 mijë që qarkullon si numër i njerëzve që nuk kanë dokumente, gjatë muajit mars munden të gjithë të pajisen me dokumente përkatëse. Por, iniciativa varet nga qytetari i cili duhet të iniciojë kërkesë. Fillimisht t’i japim kohë të drejtës së qytetarit që të iniciojë në kohë kërkesën përkatëse dhe më pas është detyrimi ynë të dalim me vendim se si do të veprojmë”, Talat Xhaferi, kryeministër.

Ky qëndrim i Xhaferit vjen edhe përkundër këmbënguljes së ministrit të Brendshëm Pançe Toshkovski që kjo do të ishte e pamundur. Për më tepër, për nxjerrjen e dokumenteve të reja, në Shkup nuk ka terminë të lirë për t’u fotografuar para muajit maj kurse koha mesatare e pritjes për pasaportë të re edhe një muaj e gjysmë pas bërjes së kërkesës.

Numri prej 100 mijë qytetarësh që janë në listën zgjedhore por që nuk kanë dokumente të vlefshme për të votuar, sipas ish kreut të KSHZ-së dhe kryetarit të grupit për rishikim të Kodit zgjedhor Aleksandar Novakoski, e rrezikon seriozisht procesin zgjedhor. Ai, në intervistë për Alsat, thotë se ndër opsionet e pranueshme është që t’u mundësohet qytetarëve që janë në listën zgjedhore, të votojnë me dokumente të skaduara.

“Opsionet në vendet e BE-së janë shumë të thjeshta. Atje, votuesi vjen me dokument të skaduar, nuk i mohohet e drejta e votës, voton dhe ata fletëvotim e vendosen në kuti të veçantë dhe kur konfirmohet se është shtetas, e vendosin me fletëvotimet tjera që të ruhet e fshehtësia e votës. Problemi është i madh dhe mund të tejkalohet edhe kështu”, tha Aleksandar Novakoski, ish kryetar i KSHZ-së.
Novakoski tha se zgjidhja duhet të vijë nga Kuvendi, megjithatë nëse kjo nuk ndodh, KSHZ-ja duhet të jetë ajo që ta zgjidhë me udhëzues të veçantë. Në rast se nuk ka zgjidhje, Novakoski thotë se ka bazë edhe për përgjegjësi penale.

“Ligjërisht është ashtu, por ju me një ligj i shkelni të drejtën kushtetuese qytetarit ndërkohë që ai nuk është fajtor për situatën e krijuar. Sipas meje, unë e di qëndrimin e KSHZ-së por ne kemi pasur raste kur kemi miratuar udhëzues. Prandaj nuk bëj thirrje që ta zgjidhin menjëherë por nëse ka mundësi, më mirë do të ishte ta zgjidhë parlamenti. Përgjegjësia do të jetë shumë e madhe nëse nuk u lejohet këtyre njerëzve të votojnë. Kurse përgjegjësi penale do të ketë për dikë dhe këtë duhet ta vërtetojnë autoritetet përgjegjëse sepse ekzistojnë elemente që tregojnë se dikush me mosveprim ka kryer vepër penale”, u shpreh Aleksandar Novakoski, ish kryetar i KSHZ-së.

Problemi me 100 mijë qytetarët pa dokumente të vlefshme por që janë në listën zgjedhore duhet të jetë diskutuar edhe në seancën e djeshme të qeverisë me kërkesë të ministrit Pançe Toshkovski megjithatë deri tani nuk ka informacione nëse është marrë vendim konkret. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme