ogëlushi shqiptar Alvin Berisha i cili kërkohej nga babai i tij, Afrim Berisha që prej natës së 12 dhjetorit 2014 kur bashkëshortja e tij Valbona Berisha u largua nga Italia për t’ju bashkuar luftës së shtetit islamik, është bërë kryetitull në mediat shqiptare.
Së fundi është raportuar se ISIS ka shfrytëzuar kaosin e pushtimit të Turqisë në Siri për të kapur kontrollin e kampit ‘Al Hola’ ku po mbahen dhjetëra mijëra gra dhe fëmijë të luftëtarëve xhihadistë.
Por mediat shqiptare njoftuan se Alvin i cili gjendet në kampin Al Hola, është marrë nga organizata “Save the Children”.
Ndërkaq çifti shqiptar, Afrim dhe Valbona Berisha, prindër të 3 fëmijëve, Alvin 6 vjeç e të dy vajzave më të rritura, jetonin në Itali prej vitit 1995.
Hetimet e autoriteteve policore duke ndjekur lokalizimin e telefonit celular të Valbona Berishës kanë zbardhur rrugëtimin e saj deri në Siri. Nga aeroporti i Bergamos sipas hetimeve, ajo ka udhëtuar drejt Stambollit e më pas ka mbërritur në Siri.
Prej gati 5 vitesh Afrim Berisha është vënë në kërkim të djalit të tij, prej të cilit ka mundur të marr vetëm një letër ku i shkruante se e kishte marrë malli shumë e donte të kthehej në shtëpi.
Gazetarët italianë kanë mundësuar pak ditë më parë udhëtimin e babait shqiptar në kampin Al-Hol të Sirisë, vendi ku mbahen të burgosur rreth 70 mijë persona, 90% e të cilëve janë gra e fëmijë.
Autoritetet kurde kanë informuar se Valbona Berisha ka mbetur viktimë gjatë bombardimeve të fundit në Siri ku ishte martuar me një xhihadist me të cilin kishte 3 fëmijë të tjerë. Ndërsa Alvin sot 11 vjeç është gjallë e i vetëm në kamp. Ai jeton së bashku me fëmijët e tjerë jetimë.