Gazetar: Adrian Kerimi
Gjykata Supreme prej më tepër se një vit akoma nuk ka arritur të marrë vendimin mbi bazën e të cilit, dëmshpërblimi i kërkuar nga “Pucko Petroll” ndaj shtetit, Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Karposhit për mos ndërtimin e pikës së karburantit në Karposh, miratohet ose refuzohet. Gjykata më e lartë në vend nuk jep arsyet e zvarritjes, por thonë se nga fillimi shkurtit të vitit të kaluar lënda akoma po shqyrtohet.
“Lënda me numër Ref1-19/23 e evidentuar në Gjykatën Supreme është adresuar më 6 shkurt 2023 dhe që atëherë ndodhet në procedurë shqyrtimi”, thonë nga Gjykata Supreme.
Burime brenda trupit gjykues në rrethana jo zyrtare bëjnë të ditur se anëtarët janë të ndarë në mendime, por nuk japin më shumë informacion se si do të veprohet tutje. Nëse ka ose jo një vendim por që mbetet i pa publikuar për shkak të mos pajtueshmërisë mes trupit gjykues, kjo nuk mund të thuhet si fakt i kryer. Padia e “Pucko Petroll” erdhi pasi kompania e themeluar nga deputeti i BDI-së, Ismail Jahoski kishte blerë parcelën me numër 550/30 në Komunën e Karposhit në të cilën ishte paraparë pikë karburanti. Ndryshimi i Planit Detal Urbanistik, vendin e paraparë e ndau në dy parcela 550/1 dhe 550/30. Kjo e fundit nga Pucko Petroll u ble për 2.6 milion euro, apo 1500 euro për metër katror. Deri në këtë rast gjithçka ishte ligjore, por “Pucko Petroll” vendosi që për investimin e dështuar të padisë Komunën e Karposhit, Qytetin e Shkupit dhe shtetin. “Pucko Petroll” kërkoi rreth 15 milionë euro dëmshpërblim.
Padia e Pucko Petroll
2.6 milionë euro për parcelën
100 mijë euro kamatë
6, 140, 000 euro dëmshpërblim
6 milionë euro kamatë plotësuese (nga blerja e parcelës deri në prishjen e marrëveshjes)
Por si erdhi deri tek konstatimi dhe vlerësimi i dëmit.
Një ekspertizë ekonomike që ishte referuar nga Gjykata e Apelit në rastin e parë kur lënda u kthye për rigjykim, kishte vlerësuar se veçmas dëmit për parcelën, kamatës dhe dëmshpërblimit, shteti obligohet t’i paguaj “Pucko Petrollit” edhe një shumë të kamatës plotësuese prej 6,4 milionë euro. Ekspertiza ka marrë për bazë pikën më të suksesshme të karburantit në shtet dhe ka përllogaritur përfitimet e tyre për 20 vite që ka rezultuar për 20 vite nga 20 milionë denarë, ose 394 milionë denarë (6.4 milionë euro).
Opozita së fundi ka akuzuar se “Pucko Petroll” përmes ndikimit politik ka bërë presion ndaj gjykatësve të caktuar për të vendosur në favor të kompanisë së themeluar kohë më parë nga deputeti i BDI-së, Ismail Jahoski. Gjykata Supreme nuk ka denoncuar një veprim të tillë edhe pse opozita pretendon në emra konkret për presion ndaj gjykatësve konkret. /Alsat.mk