Të gjithë e njihni, por pak nga ju e dini se plaku 70 vjeçar që pas luftës rri vetëm më uniformë të UÇK, është kthyer nga Amerika për t’iu bashkuar luftës së Kosovës.
Ai ka qenë pjesë e batalionit “Atlantiku”. Muhamed Kuka që është nga Ferizaj, tash e dymbëdhjetë vjet nuk lë cep të Kosovës pa shkelur, e krejt këtë e bënë për t’i nderuar dëshmorët dhe familjet e tyre.
Pas 24 vjet qëndrimi në SHBA ai vendosi që mos të kthehet më atje. Ai është invalid i luftës dhe jeton në një gjendje jo të mirë ekonomike. Jeta e tij u vështirësua edhe më shumë në momentin kur vajza e tij 17 vjeçe, Pranvera Kuka u diagnostikua nga një sëmundje e rëndë.
GazetaBlic ka zhvilluar një bisedë të shkurtër me Kukën të cilën mund ta lexoni të transkriptuar më poshtë:
Gazeta Blic: z.Kuka si u bë që ju të vini nga Amerika për të luftuar në Kosovë. Në cilin vit erdhe për t`iu bashkuar luftës?
Muhamed Kuka: Kam qenë në New Jersy dhe kam takuar Muhametin se te ai në New Jersy i mbledhshim të hollat për luftën në Kosovë (fondin ) dhe kur jam kthyer në Penslivania kam hyr në një lokal – aty kam porositur bukë dhe e pash në TV masakrën e Reçakut e kam lënë bukën dhe kemi filluar të organizohemi me shok nga Shqipëria, Mali i Zi e vende të tjera për t’u nisur për në Kosovë.
Gazeta Blic: U niset nga SHBA dhe ku zbritet fillimisht?
Muhamed Kuka: Zbritëm në Tiran, më pas në Durrës, Mali i Robit dhe në Burrel dhe prej aty në Elshan, Kukës – Elshan dhe nga Elshani drejtë e në Pashtrik se ne në bazën tonë i kemi pasur mbi 3 mijë të stërvitur që krejt ishin vullnetarë. Grupi i parë kur është nisur për Koshare të gjithë refugjatët që ishin në Burrel i kanë përcjell me duartrokitje e që ishin rresht në të dy anët e rrugës t`u i përcjell me gëzim e lot në sy.
Gazeta Blic: Ju keni qenë pjesë e Batalionit “Atlantiku” ?
Muhamed Kuka: Po pjesë e batalionit “Atlantiku”. Ne kemi ardhë t’i dalim Zot vendit. Unë krenohem me këtë batalion dhe vetëm shpirti i tyre e din se si janë kthyer në SHBA pas përfundimit të luftës në Kosovë, ka qenë shumë e vështirë nuk ka qenë fare e lehtë.
Gazeta Blic: Në Koshare a keni luftuar apo në ndonjë zonë tjetër?
Muhamed Kuka: Jo në Koshare nuk kam qenë unë vetëm në Pashtrik, por unë shpesh shkoj aty se i kam lulet e mia aty (shokët që kanë rënë gjatë luftës ).
Gazeta Blic: Në 20 vjetorin e betejës së Koshares, pjesëtarët e batalionit “Atlantiku” janë kthyer sërish në Kosovë pas 20 vjetësh – a i keni takuar ata ?
Muhamed Kuka: Po po dje në mëngjes i kam takuar dhe të shtunën do të takohemi këtu para Zahir Pajazitit pasdite në orën 16.
Gazeta Blic: Ata ( pjesëtarët e “Atlantiku” ) janë kthyer në SHBA pas përfundimi të luftës. Po ju pse nuk kthyer prapë atje (SHBA)?
Muhamed Kuka: Unë i kam dy fëmijë pas luftës, jam martuar dhe kam vënë themele këtu. Amanetin e nënës në vend e kam dërguar, u çlirua Kosova dhe jam martuar. Kam djal e çikë dhe unë nuk mund t’i lë ata të vdesin, por duhet të qëndroj pranë tyre si prind që jam. Në SHBA kam jetuar gjatë dhe kam pas një jetë të lumtur kam mundur t`iu ndihmoj ndoshta mijëra familjeve….
Gazeta Blic: Sa vjet jetuat në Amerikë?
Muhamed Kuka: 24 vjet kam jetuar atje por tash jetoj në Kosovë dhe jam i lumtur që jetoj këtu sepse Kosova është e lirë.
Gazeta Blic: Farë bën tash, me çka merresh?
Muhamed Kuka: Unë jam invalid. Nuk merrem me biznesë. Kam marrë një iniciativë për dëshmorët. Uniformën se heq kurrë shkoj te secili vend dhe bëj nderime për dëshmorët e Kosovës. Sot isha në Landovicë diku rreth orës 8 e mëngjesit dhe pasi fola me familjen e dëshmorit bëra homazhe. Jam kthyer në Ferizaj kam nderuar dëshmorët në Sllovi dhe kam gjet një dashamirë, një shpirtmirë që të shkoj në Prekaz. Kam ec deri në Shtime në këmbë dhe aty e kam ndal një veturë dhe deri në Komoran kemi vazhdu me këngë për dëshmorët e Kosovës dhe ai dashamiri më dërgoj deri në Prekaz. Dhe aty takova gjeneral shqiptar Brigada 3 e Skënderbeut – kompania që na ka ndihmuar, na ka stërvitur gjatë kohës së luftës për t`i dal zot vendit. Është kënaqësi e madhe me oficer shqiptar t`i nderosh dëshmorët në Prekaz.
Gazeta Blic : Vizitat që i bëni dëshmorëve në tërë Kosovën i bëni zakonisht në këmbë apo si?
Muhamed Kuka: Shumicën e rasteve në këmbë, por ka raste kur bëj edhe auto-stop se nganjëherë nuk mundem se kam problem me këmbë ( të dyja i kam të plagosura gjatë luftës )
Gazeta Blic: Cili është reagimi i familjeve të dëshmorëve kur ju bëni nderime për ta – si ju presin?
Muhamed Kuka: Mirë shumë mirë. Nderimet janë shumë të larta sepse familja gëzohet kur më shohin bëj nderime për ata dhe familjet e tyre.
Gazeta Blic : Këtë uniformë e mbani që nga pas lufta dhe a e keni hequr ndonjëherë ?
Muhamed Kuka: Jo nuk e kam hequr kurrë se i kam dy palë këtë dhe një të zezë…. Zoti na bekoftë të gjithëve – pa luftë nuk ka liri.
Gazeta Blic : Z Kuka e keni një vajzë që vuan nga një sëmundje e rëndë. A ju ka ndihmuar ndokush?
Muhamed Kuka: Unë vajzën e kam shumë keq … vështirë është për mua dashtë Zoti populli më ndihmon se tash e kam pasur në Tiranë dhe prapë më duhet të shkoj. Unë me këtë pagë që marr nuk mund t`i ndihmoj.
Gazeta Blic : Shokët e luftës a të kanë ndihmuar ?
Muhamed Kuka: Po më kanë ndihmuar grupi i parë më ka ndihmuar batalioni i “Atlantikut” që vajza ta parandaloj sëmundjen … por tash ta shoh…. besoj se populli do të më ndihmoj që ta shpëtoj çikën. Unë i kam 70 vjet prej meje nuk pritet më asgjë, por dhasht Zoti që çika të më shërohet. Mua, qeveria nuk më ka ndihmuar – shtatë herë më ka refuzuar atëherë kur kërkoja ndihmë. Ramushi më ka ndihmuar, por ato nuk mjaftojnë se shërimi i saj kushton shumë, terapitë e saja kushtojnë shtrenjtë.