Në konferencën vjetore “Treguesit për nivelin e lirisë së medieve dhe sigurisë së gazetarëve” e cila organizohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) u publikua raporti “Liria e mediave dhe siguria e gazetarëve”.
Ky hulumtim tregoi që kërcënimet zakonisht po bëhen ndaj gazetarëve hulumtues dhe ajo që është shqetësuese sipas këtij raporti, këto kërcënime kryesisht po bëhen nga zyrtarë komunal, pronarë kompanish, por edhe sulme nga qytetarë të pakënaqur gjatë raportimit të gazetarëve për probleme të ndryshme.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu tha se raporti për lirinë e gazetarëve që është publikuar këtë muaj tregon se Kosova ka përparuar në këtë drejtim kundrejt vendeve të rajonit, mirëpo siç u shpreh ai, “siguria e tyre qëndron mbi të gjithë, në një mënyrë apo tjetër”.
Miratimi i ligjit të ri të sinjalizuesve është një hap para sepse i siguron qytetarët që të japin informacione tek gazetarët, tha ai.
“Arsyeja kryesore e sulmeve ndaj gazetarëve vazhdon të jetë gazetaria hulumtuese. Këtë vit kishim 13 raste të sulmeve, por fatkeqësisht ne kemi gjetur edhe tre të tjera, pra janë 16. Nuk është numër i madh por me rëndësi të madhe për ata individualisht prandaj duhet marrë seriozisht”, u shpreh Shefi i Misionit të OSBE-së.
Ndërkaq, kur jemi tek trajtimi i këtyre rasteve nga Policia e Kosovës, prokurorët dhe gjyqtarët, Braathu theksoi se ka vërejtur përmirësime konkrete.
Mirëpo, përveç kërcënimeve me të cilat gazetarët ballafaqohen gjatë raportimeve, ai shtoi se të papranueshme janë edhe ato që bëhen brenda mediumeve ku ata punojnë e që sipas tij, nuk po përmenden.
Katër mediume janë gjobitur për shkelje të të drejtave të gazetarëve. OSBE natyrisht që i mbështet këto zhvillime sepse janë pjesë e një shoqërie demokratike. Është më e rëndësishme që ju e publikuat këtë raport se sa po ta publikonte OSBE”, përfundoi Braathu.
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyqi tha se Gjykata të cilën ajo përfaqëson gjatë këtij viti ka rritur nivelin e transparencës në komunikim me gazetarët.
Ajo gjithashtu përmendi që janë duke punuar që të gjitha vendimet e gjyqtarëve të bëhen publike.