Sot bëhen 19 vjet nga vdekja e ish-presidentit të Maqedonisë, Boris Trajkovski, i cili e ka humbur jetën në fatkeqësi ajrore në Rotimlje, në afërsi të Mostarit.
Në fatkeqësinë ajrore që ka ndodhur më 26 shkurt të vitit 2004, përpos presidentit Trajkovski, kanë humbur jetën edhe tetë anëtarë të delegacionit të Maqedonisë, i cili kishte udhëtuar në një konferencë ndërkombëtare në Mostar të Bosnjë Hercegovinës.
Në lidhje me këtë ngjarje janë zhvilluar edhe dy hetime nga dy komisione të ndryshme për të kuptuar nëse ka qenë aksident ajror apo ka qenë “akt terrorist”, prej të cilave kanë dalë dy raporte të ndryshme.
Në të dy raportet, të cilat dallojnë nga njëra-tjetra, megjithatë, si shkak për rënien e avionit, janë theksuar gabimet e pilotit dhe mangësi të tjera indirekte të sistemit.
Në raportin e parë si shkak kryesor për rrëzimin e avionit janë theksuar “gabime proceduriale në periudhën e aterimit, për nga lartësia dhe nga vendi, në aeroportin në Mostar në fluturim të kontrolluar”.
Në raportin e dytë janë theksuar edhe disa mangësi sistematike, ndërsa është publikuar edhe transkripti i kutisë së zezë, respektivisht gjithë biseda mes pilotëve dhe biseda me kontrollin e fluturimit.
“Shtatë procedura gjatë fluturimit nga ana e pilotëve dhe pesë gabime sistematike të institucioneve kompetente në Maqedoni dhe në BeH janë shkaqet për rrëzimin e avionit”, është cituar në raportin e dytë.