Gruevski tregohet i ashpër me ambasadorin e SHBA-së dhe BE-së

VMRO-DPMNE, si asnjëherë më parë, në komunikatat e saj ka shprehur gjuhë të ashpër ndaj ambasadorëve, të cilët kanë vizituar këtë seli për takime pas valës së protestave të organizuara nga kjo parti, në kohën që shqyrtohen ankesat e LSDM-së në KSHZ.

Pas takimit me ambasadorin amerikan Bejli, VMRO ka dërguar komunikatën në pika të shkurtra:

Bejli: Cilat janë planet për koalicion të VMRO DPMNE-së?

VMRO DPMNE: Planet varen nga partitë e tjera, të cilat po ndikohen edhe nga faktorë të jashtëm!

Bejli: Cilët janë këta faktorë të jashtëm?

VMRO DPMNE: Nuk jemi të autorizuar të tregojmë!

Bejli: Mund t’ju ndihmojmë në këtë drejtim!

VMRO DPMNE: Puna juaj është vetëm të ndiqni situatën dhe t’i raportoni shtetit tuaj!

Bejli: Ne ju kemi ndihmuar deri tani!

VMRO DPMNE: Për ndihmën e deritanishme, faleminderit!

Bejli: SHBA është mike e Maqedonisë, por disa anëtarë të partisë suaj nuk ndajnë të njëjtin qëndrim!

VMRO: Nuk ka dilema rreth anëtarësimit në NATO e BE dhe miqësisë me SHBA-në, por kjo nuk do të thotë se disa individë, partia apo shteti nuk mund të shprehin mos pajtueshmëri me disa hapa që individë të caktuar që përfaqësojnë SHBA-në kanë ndërmarrë këto kohë.

Por, përveç dialogut që është zbuluar në mënyrë të pa diskretë, në VMRO ka zbritur edhe ambasadori i BE-së Samuel Zhbogar. Me një ton më të butë ndaj evropianëve, në komunikatën e radhës, VMRO është shprehur në pika të shkurtra:

Zhbogar: Jam i shqetësuar për fjalorin e përdorur në protestat e fundit!

VMRO DPMNE: U bënë 2 vjet protesta të opozitës, u thyen zyrat e Presidentit, prona shtetërore dhe Brukseli e komuniteti ndërkombëtar nuk thanë një fjalë për to!

Zhbogar: Si do të shkojë situata me protestat?

VMRO DPMNE: Nuk mund të parashikojmë pasi numri i qytetarëve të irituar është i madh dhe revolta nuk do të kontrollohet plotësisht nëse institucionet nuk punojnë në bazë të ligjit.

Zhbogar: Nuk mund t’i komentoj vendimet e KSHZ-së pasi ajo është institucion i pavarur shtetëror, por megjithatë, vendimi final do të merret nga Gjykata Administrative në rast të ankimimit.

Ndërkaq, në VMRO mësohet të ketë qenë edhe ambasadori i Norvegjisë Arn Sanes Bjornshtad i cili ka marrë të njëjtën përgjigje të ashpër nga VMRO-DPMNE-ja, se në dy vitet e fundit në Maqedoni, përfaqësues të caktuar të bashkësisë ndërkombëtare janë përzierë në mënyrë të vrazhdë në punët e brendshme të shtetit, e deri edhe ato ndërpartiake. Kjo praktikë ka qenë e nxitur më shumë, edhe në periudhën parazgjedhore dhe atë zgjedhore-kanë theksuar nga VMRO DPMNE-ja, duke shtuar se kjo praktikë duhet të marrë fund! Alsat-M