Përgjatë gjithë vitit 2017 afro 2 mijë kosovarë kanë kërkuar ndihmë financiare në Ministrinë e Shëndetësisë për trajtimin e sëmundjeve nga të cilat ata vuajnë. Shumica nga ta për sëmundjet e zemrës, oftalmologji, pediatri si dhe Ortopedi,.
Mungesa e barnave, aparaturave për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme e mosbesimi në institucionet publike shëndetësore janë vetëm disa nga arsyet që qytetarët e Kosovës detyrohen të marrin rrugë drejt shteteve evropiane për t’ia gjetur ilaçin vetes.
Rreth 1 mijë e 965 pacientë kosovarë gjatë gjithë vitit 2017 kanë kërkuar ndihmë financiare për shërim jashtë vendit në Ministrinë e Shëndetësisë. Për shërimin e këtyre personave janë shpenzuar 13 milionë e 878 mijë euro.
Për 12 muaj, 553 kosovarë të cilët vuajnë nga problemet me zemër kanë bërë thirrje në MSH për ndihmë. Kjo e fundit u ka aprovuar atyre ndihmën në vlerën financiare afro 2 milion euro.
378 qytatarë të tjerë kanë kërkuar shërim për sëmundjet e oftamologjisë si dhe ortopedisë. Për të dy këto janë shpenzuar afro 4 milionë euro.
Tutje sipas raportit për vitin që po e lëmë pas për sëmundjet e kancerit dhe leukemisë afro 200 kosovarë kanë kërkuar ndihmë.
Disa prej këtyre rasteve dërgohen për trajtim në Turqi në bazë të marrëveshjes që Kosova ka me këtë të fundit.
E sipas njohësve shëndetësor, shpenzimet për ëkto raste do të zvogëloheshin sikur në Kosovë të implementohej Ligji për Sigurime Shëndetësore. Ky ligj dështoi edhe këtë vit, pasi u shty mbledhja e premiumeve, e paraparë të fillonte më 1 korrik./Express/