TEC-et lundruese të marra me qira në Vlorë dhe të vendosura në zonën e Triportit vijojnë të jenë një barrë e rëndë financiare për buxhetin e shtetit. Pavarësisht kostove të larta të akumuluara ndër vite, ato deri më sot kanë prodhuar pak ose aspak energji, ndërsa shpenzimet për mbajtjen e tyre në funksion rriten vazhdimisht.
Shteti shqiptar paguan qindra mijëra euro në ditë vetëm për t’i mbajtur në punë, pa përfshirë këtu kostot shtesë për karburantin, sigurimin, pagat e punonjësve dhe së fundi edhe mirëmbajtjen e tyre.
Në një kohë kur për këtë çështje do të duhej të kishte një hetim të plotë apo një proces verifikimi mbi kostot dhe përfitimet reale të këtij projekti, institucioni qiramarrës, Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), vijon të shtojë shpenzimet, përmes tenderave të njëpasnjëshëm me vlera të konsiderueshme financiare.
Larg vëmendjes së opinionit publik, KESH ka hapur këto ditë procedurën e radhës, këtë herë jo për prodhimin e energjisë, por për mirëmbajtjen e dy anijeve që prej kohësh janë kthyer në simbol të një kostoje të lartë për financat publike.
KESH, tashmë i drejtuar nga Viola Haxhiademi, ka hapur një tender me vlerë rreth 20 milionë euro me objekt: “Operim dhe mirëmbajtje e asetit gjenerues Termik, Vlorë”. Fondi limit i kësaj procedure është 1.892.000.000 lekë, ose rreth 20.2 milionë euro. Sipas dokumenteve të tenderit, kjo shumë parashikohet vetëm për operim dhe mirëmbajtje, ndërsa bëhet fjalë për një procedurë të hapur mbi kufirin e lartë monetar.
Pra, për një aset që deri më tani nuk ka sjellë prodhim të konsiderueshëm energjie, vijojnë të angazhohen miliona euro nga paratë publike për ta mbajtur funksional.
Sipas kontratës së qirasë, KESH paguan çdo muaj qindra mijëra euro për këto TEC-e lundruese, duke shtuar kështu faturën financiare të një projekti që vijon të ngrejë pikëpyetje për eficiencën dhe koston reale për qytetarët.
The post 20 mln euro për mirëmbajtjen e “Tigrave” të Vlorës/ KESH hap procedurën e radhës edhe pse TEC-et lundruese janë kthyer në karakatinë dhe nuk prodhojnë energji appeared first on Gazeta Shqiptare Online.




