Gazetare: Fatlume Dervishi
Rregullimi i 20 përqindëshit në Kushtetutë me termin adekuat “gjuha shqipe” do të duhet të presë ditë më të mira. Në draft amendamentet për ndryshimet kushtetuese kjo zgjidhje nuk figuron pasi grupi i punës, pavarësisht se e ka diskutuar, vendosi se nuk ka mandat për të adresuar edhe këtë çështje.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski i pyetur për zemërimin eventual me këtë gjë të disa partive shqiptare tha se të gjithë duhet ta kenë parasysh se ky proces ka të bëjë me eurointegrimet.
“Për momentin kemi propozim i cili do të shqyrtohet nga Qeveria dhe do të dorëzohet në Kuvend dhe të gjitha partitë politike duhet të jenë të vetëdijshme se ky proces është për shkak të integrimit në BE, dhe sigurisht shumë mesazh të qartë dërgoi dje edhe senatori i SHBA-së Kris Marfi i cili tha se partitë politike veçmë duhet të përcaktohen, a janë për BE, NATO dhe SHBA, apo një pjesë e tyre do të duan të mbesin peng te Dimitar Apasievit dhe Rusisë”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Procedura do të kalojë në qeveri dhe më pas në Kuvend, ku ka po ashtu mundësinë për t’u bërë plotësime me amendamente. Nga Aleanca për Shqiptarët shkurt thonë se tani me hapjen e kushtetutës në Kuvend pritet të adresohen edhe temat tjera, në këtë rast, edhe ajo e zëvendësimit të terminologjisë së përdorimit të gjuhëve.
Nga Lëvizja Besa thonë se pasi nisma të arrijë në Kuvend, do ta bëjnë të ditur qëndrimin e tyre.
“Propozimi i grupit punues për ndryshimet kushtetuese pranë Ministrisë së Drejtësisë dërguar Qeverisë së RMV, konfirmon dyshimet e shprehura më parë nga Lëvizja Besa se çështja e zëvendësimit të 20% me “gjuhën shqipe” nuk është në agjendën e parive politike shqiptare në pushtet (BDI dhe ASH) dhe se kjo temë keqpërdoret nga këto subjekte për nevoja ditore dhe partiake. Lëvizja Besa pret propozimin zyrtar nga ana e qeverisë që do t’i niset kuvendit dhe atëherë qartë do të shprehë qëndrimin e palëkundur për zëvendësimin e 20% me gjuhën shqipe”, thonë nga Lëvizja Besa.
BDI-ja ka qenë e palëkundur gjatë gjithë procesit, se gjatë ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve nuk ka hapësirë për diskutime rreth zëvendësimit të termit 20% me “gjuhë shqipe”. /Alsat.mk