Marrëveshja politike e arritur ndërmjet forcave politike në vend, parasheh që rreth 170 mijë persona me të drejtë vote, që gjenden jashtë Maqedonisë do të vendosen në një listë të veçantë të votuesve duke mos e kontestuar të drejtën e tyre për të votuar.
Rreth 40 mijë persona të tjerë të cilët gjithashtu jetojnë jashtë vendit do të duhet të paraqiten personalisht ose përmes video konferencave brenda 25 ditëve për të verifikuar të drejtën e votës, në të kundërtën ata do të fshihen nga regjistri zgjedhor.
Ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me miratimin e reformave që dalin nga marrëveshja e arritur të mërkurën, pritet që të hyjnë së shpejti në procedurë parlamentare.
Partitë politike shqiptare të cilat kanë marrë pjesë në bisedime për arritjen e marrëveshjes në fjalë Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike shqiptare thonë se nuk do t’i vihet në pikëpyetje e drejta e votës asnjë mërgimtari shqiptar.
Lista e votuesve ka qenë në shënjestër të kritikave për disa procese zgjedhore sa i përket numrit të personave me të drejtë vote që krahasuar me numrin e përgjithshëm të popullsisë së Maqedonisë del me një dallim prej 200 mijë qytetarëve. (INA)