Për shkak të mospërfundimit të punimeve të nisura në dhjetor të vitit 2016, për rinovimin e garazhit të “Trafikut Urban”, kjo e fundit nuk po mund t’i sjellë edhe 21 autobusët e kontraktuar të saj nga Çekia. Megjithatë, sipas zyrtarëve të komunës, pritjes së gjatë do t’i vijë fundi brenda pak javësh.
Xhirime me dron e spektakël medial ishte bërë kur më 30 dhjetor 2016, 15 autobusë të rinj të Trafikut Urban patën shkelur për herë të parë në rrugët e Prishtinës.
Njëjtë ishte vepruar edhe pak javë më vonë kur edhe 15 të tjerë mbërritën në Prishtinë.
Të tridhjetët u lëshuan në qarkullim më 17 shkurt 2017.
Por 21 sosh, me të cilët do të kompletohej flota e Trafikut Urban me 51 autobusë të rinj, të blerë me kredinë mbi 10 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ende po qëndrojnë në ambientet kompanisë IVECO-s në Çeki.
Kjo pasi, sipas zyrtarëve të Komunës së Prishtinës dhe Trafikut Urban, BERZH-i e ka kushtëzuar ardhjen e autobusëve me renovimin e garazhit, për çka kjo bankë kishte ndarë një grant prej 800 mijë eurosh.
Por punët në të, janë ndalur tash e 3 muaj, pasi komuna ia ka shkëputur kontratën operatorit që po punonte aty me arsyetimin se ka shkelur të gjitha afatet kohore.
Punimet e nisura para më shumë se 460 ditësh, sipas kontratës fillestare, është dashur të përfundojnë për 60 ditë, ndërsa ato të kontratës shtesë brenda 30 ditësh.
Megjithatë, ishte thënë se aty janë kryer 85-90% të punëve.
Pas ndërprerjes së tyre, BERZH-i kishte angazhuar një kompani për të bërë një vlerësimin para se të vendosë nëse do të lejojë ardhjen a kontingjentit të fundit të autobusëve.
Kjo tashmë është bërë dhe, sipas zyrtarëve komunalë, vlerësimi është pozitiv.