Sot më datën 6 maj janë bërë 21 vjet nga vrasja e ish-nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Fehmi Agani. Agani u vra nga forcat serbe.
Ish-nënkryetari i LDK-së së bashku me familjen e tij, tentoi të linte Kosovën me tren. Treni u kthye mbrapsht, në kufirin me Maqedoninë, diku afër Fushë Kosovës, policia ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë.
Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private.
Kufoma e tij u gjend të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit.
Për nder të tij është ngritur përmendorja e tij në oborrin e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.
Vrasjen e Fehmi Aganit e ka rikujtuar edhe Kryeparlamentarja Vjosa Osmani. Osmani ka thënë se vrasja e tij ishte përpjekje për ta dobësuar vullnetin dhe këmbëngultësinë e shqiptarëve për liri dhe pavarësi.
“Sot, në 21-vjetorin e vrasjes, e kujtojmë njeriun e urtë e veprimtarin e madh, bashkudhëtarin politik të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, në lëvizjen e viteve ’90 për pavarësi, njërin ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mbi të gjitha, njeriun e dijeve e të ideve për konsolidimin e kombit, profesor Fehmi Aganin. Ai u vra më 6 maj 1999 nga regjimi gjenocidal serb i Millosheviçit. Vrasja e tij qe përpjekje për ta dobësuar vullnetin dhe këmbëngultësinë e shqiptarëve për liri dhe pavarësi.”, shkroi ajo.