23 pikat e aktakuzës së Albin Kurtit

Berat Buzhala
Deputeti Kurti, në tiradën e tij në Kuvendin e Kosovës, plot 23 herë e përmendi mbiemrin Devolli. Ishin plot 23 aktakuza. E përmendi fytin e tharë të Grabovcit, por jo edhe Coca Cola’n zero të Shpend Ahmetit.
Albin Kurti, lideri real i Vetëvendosjes, sot në Kuvendin e Kosovës i goditi në mënyrë të pariparueshme Devollët dhe bizneset e tyre në Kosovë. Ishte sulm total. Pa asnjë rezervë. Mund të them që ishte prej fjalimeve me më së shumti përmbajtje që Kurti e ka lexuar ndonjëherë, prej kur është deputet.

Kurti përmblodhi gjithçka çka Gazeta Express, dhe unë personalisht, e kemi thënë tash e katër vite. Çdo gjë kishte filluar me shkrimin Shteti në Synetinë e Devollëve për të ardhur deri te ky më i fundit për Arbitrazhin në Gjykatën Ndërkombëtare, ku Z- Mobile e ka fituar një proces të stisur kundër PTK’së, e cila gjë do t’ia shtojë buxhetit shumë milionësh të Blerimit Devollit, edhe 30 milionë të tjera.

Sigurisht që çmimin më të rëndë do ta paguajnë rreth 3000 punëtorë të PTK’së, që si dëm kolateral ka mundësi reale të përfundojnë në rrugë. E bashkë me ta, në rruge, mund të përfundojnë edhe familjet e tyre. Ndërsa, Blerimi, me ato pare, që i ka haram secilin cent, eventualisht mund ta blejë edhe një jaht më të madhe. Mund ta korruptojë edhe një politikan. T’ia mbyllë gojën edhe një mediumi. Ta trashë zullimin financiar edhe pak më shumë.

Dikush i tha te gjitha ato qe duhej thënë që moti, por më mirë vonë se kurrë: që Devollet perandorinë e tyre e kane ndërtuar, jo me kreativitetin, sic e tha Kurti, të Jobsit ose Gate’sit, por me krim të organizuar shtetëror; që Adem Grabovci është (s)piun i Devolleve në institucione; që të gjitha subjektet politike janë të kapura prej tyre; që të gjitha bizneset janë të dyshimta.

Asnjë presje, deri këtu. Unë do të shtoja edhe më tepër. Blerim Devolli e kontrollon edhe Doganën e Kosovës, e kontrollon e AVUK’un, Agjencioni i Veterinarisë dhe Ushqimit, i korrupton edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Sepse, pas çdo zhvillimi kriminal financiar ai e ka zgjeruar edhe rrjetën e tij të kapjes. Padyshim që peshku më i madh në këtë rrjet është Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Madje, për mua mbetet e paqartë se cili është peshk i cilit? Kush e ka kapur kënd: Thaçi Blerimin, a Blerimi Thaçin. Unë më shumë jam në favor të së pares.

Kjo është shumë e rëndësishme, por ndoshta jo për këtë shkrim, sepse do të ndalem te Kurti.

Ajo çfarë Kurti harroi ta përmend në aktakuzën e tij, është rasti me i fundit, ai më i freskëti, i Shpendit ne jahtin e Blerimit, duke pire Coca Cola zero. Nëse Kurti e përmendi Grabovcin, pse nuk e përmendi edhe Shpendin? Nëse Kurti edhe më tutje nuk i ka harruar bisedat telefonike të Pronto skandalit, të cilat janë publikuar vite më parë, pse nuk u kujtua për një ngjarje që ndodhi javë më parë? Shpend Ahmetit, në mes tjerash, e ka pranuar edhe publikisht që e ka mik Ernestin e Birrës Peja, kompani kjo pronë e Blerim Devollit, e e cila dyshohet se është duke bërë shmangie të mëdha tatimore?

Le ta harrojmë këtë për një moment, sepse Shpendi dhe Dardani (Sejdiu, por edhe Molliqaj) nuk janë të vetmuar në këtë aferë. Në këtë mes, lidhja kryesore me Blerim Devollin është Fisnik Ismaili, deputeti i Vetëvendosjes. Ismaili e ka pranuar edhe publikisht që për shërbime të ndryshme paguhet nga Blerimi me 4000 euro në muaj. Dhe kjo nuk është një pagesë një mujore, Ismaili është në listë të pagave të Blerimit tash e një kohë të gjatë, ndoshta 10 vite.

Shtrohet pyetja legjitime, a e ka ditë Albin Kurti që Fisnik Ismaili është një lidhje me Blerimi Devollin që prej kohës kur ka lindë monstrumi kriminal, Z – Mobile?

Nëse PO, e po supozoj që PO, pse nuk e përmendi. Pse ishte selektiv?

Shkojmë tutje, Kurti paska folur edhe për Klan Kosovën, që është pronë e Devollëve. E saktë. Por a nuk ështe ky mediumi në të cilin Shpend Ahmeti, dhe Dardan Molliqaj, vetëm çka nuk bëjnë VO aty? A nuk është kjo media ku eksponentët kryesorë të Vetëvendosjes lartësohen si figura te larta kombëtare?

Tash nuk dëshiroj ta kryqëzoj Kurtin për këto lëshime, sepse sigurisht nuk ka dashur që më një fjalim të vetëm t’i zgjidh të gjitha problemet që mund të dalin prej aty. E rëndësishme është që i ka thënë publikisht, në platformën më të rëndësishme publike në Kosovë, Kuvendin e Kosovës. Këto cfarë janë thënë sot aty, nuk kthehen më prapa. Para Kurtit, në atë foltore për këtë kompani pata folur edhe unë. Sigurisht fuqia ime politike, kur i kam thënë ato gjëra, ka qenë minore, me fuqinë që e ka lideri i Vetëvendosjes. Për insistimin tim, si të mushkës, u nderova nga Devollët edhe me posterë, me pamje të gomarit, në shumicën e qyteteve të Kosovës.

Në këtë moment është shumë e vështirë të analizohet arsyeja e vërtetë e shpërthimit të Kurtit. Nëse e marrim logjikisht, një gjë e tillë duhet të jetë e lidhur ngushtë me aferën e jahtit. Sepse nëse nuk është e lidhur me të, pse duhej Kurti saktësisht tash ta lëshojë këtë Fatwa. Sa për ilustrim: në një fjalim disa minutësh, Kurti e ka përmendur plot 23 herë mbiemrin Devolli. Pra, kjo nuk ishte një diçka sa për të kaluar në një temë tjetër. Ai këtë e bëri me plot pasion. Ia goditi edhe qumështin (me të drejtë) të cilin Shpendi ia favorizon në Prishtinë. Ia goditi edhe birrën (me të drejtë) të cilën Shpendi ia favorizon në Prishtinë. E që për të gjitha këto paguhet deputeti tjetër i LVV’së, Fisnik Ismaili.

Kam dilemat e mia për arsyet e vërteta të shpërthimit të Kurtit. A është kjo lojë e tij politike? A po e godet Shpendin, për të përfituar personalisht, sepse në të gjitha sondazhet Shpendi del me i popullarizuar se Kurti? A ka probleme në mes tij dhe Dardan Molliqajt (për mua vazhdon të mbetet mister se si një medioker si Dardan Molliqaj, konsiderohet që ka fuqi politike)? Dhe pikëpyetje tjera po kaq të rëndësishme.

Mirëpo gjëja me rëndësishme për mua – kryegjëja – është se a ishin të vërteta ato që i tha Kurti në foltore, a nuk ishin? Te kjo pikë ndahen gjërat.

Me Kurtin nuk pajtohem pothuajse askund, mirëpo Cezarit atë çka i takon Cezarit, Zotit atë çka i takon Zotit. Ai, në të gjitha ato çfarë i tha në Kuvend, ishte milimetrikisht i saktë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme