24% e familjeve që kanë një kredi paguajnë mbi 30% të të ardhurave për këstin

Megjithëse numri i familjeve me hua është në rënie, barra e borxhit është rritur për një pjesë të atyre që kanë kredi. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, 24% e familjeve huamarrëse deklaruan se pagesa e huasë u merr mbi 30% të të ardhurave, ndërsa Banka e Shqipërisë vlerëson se aftësia paguese e familjeve është dobësuar disi gjatë periudhës.

Sipas vrojtimit, vetëm 16% e familjeve të anketuara kishin të paktën një hua për të paguar në momentin e intervistimit. Kjo peshë ra me rreth 1 pikë përqindjeje ndaj gjashtëmujorit të mëparshëm dhe me 0.3 pikë përqindjeje ndaj një viti më parë. Niveli aktual është gjithashtu dukshëm nën mesataren historike prej 26%. Vrojtimi është kryer mbi një kampion prej 1,200 familjesh dhe ka pasur shkallë përgjigjeje 89%.

Por ulja e numrit të huamarrësve nuk është shoqëruar me të njëjtin përmirësim të përballueshmërisë së borxhit. 76% e familjeve huamarrëse paguajnë më pak se 30% të të ardhurave mujore për huanë, por kjo peshë është ulur me 3 pikë përqindjeje në gjashtë muaj dhe 8 pikë përqindjeje në një vit. Në kahun tjetër, pesha e familjeve që shpenzojnë mbi 30% të të ardhurave për këstin është rritur.

Në mënyrë më të detajuar, 33% e familjeve huamarrëse përdorin deri në 10% të të ardhurave për pagesën e huasë, 43% përdorin 10-30%, ndërsa 24% shpenzojnë mbi 30%.

Banka e Shqipërisë evidenton gjithashtu një dobësim të aftësisë paguese gjatë gjysmës së parë të vitit. Rreth 51% e familjeve huamarrëse deklaruan se aftësia e tyre për të paguar nuk kishte ndryshuar, ndërsa për gjysmën e dytë të vitit pritjet janë disi më të qëndrueshme: 70% nuk presin ndryshim të aftësisë paguese.

Pavarësisht kësaj, nuk pritet një rritje e fortë e huamarrjes së re. 62% e familjeve deklarojnë se nuk presin të marrin një hua të re në gjashtë muajt e ardhshëm, ndonëse kjo përqindje është ulur me 1 pikë përqindjeje nga gjashtëmujori i kaluar dhe me 3 pikë përqindjeje nga një vit më parë. Banka e Shqipërisë e interpreton këtë si një kërkesë përgjithësisht të qëndrueshme për kredi në pjesën e dytë të vitit. /ekofin.al

The post 24% e familjeve që kanë një kredi paguajnë mbi 30% të të ardhurave për këstin appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme