Pas tërmetit me magnitudë 6,2 që goditi dje Istanbulin, në qytet janë regjistruar gjithsej 266 pasgoditje deri në orën 09:00 të ditës së sotme, tregojnë të dhënat e Drejtorisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), transmeton Anadolu.
Sipas AFAD-it, pasgoditjet kanë qenë me magnituda të ndryshme – 258 prej tyre me magnitudë ndërmjet 0 dhe 4 ballë, shtatë pasgoditje ndërmjet 4 dhe 5 ballë ndërsa njëra ka kaluar magnitudën 5.
Ndryshe, tërmeti i fuqishëm me magnitudë 6,2 ndodhi me epiqendër në rrethin Silivri të Istanbulit.
Si pasojë e lëkundjeve, 236 persona pësuan lëndime në incidente të shkaktuara nga paniku, njoftuan autoritetet.
Ministri i Mjedisit, Urbanizmit dhe Ndryshimeve Klimatike, Murat Kurum njoftoi se janë pranuar 378 raportime për dëme strukturore, duke shtuar se nëntë prej shtëpive janë klasifikuar si të nevojshme për evakuim.
AFAD-i njoftoi se sipas vlerësimit të raporteve të pranuara nga Qendra e Thirrjeve Emergjente 112, nuk është regjistruar asnjë viktimë ose shkatërrim si pasojë e tërmetit.
Drejtoria tha se të gjitha institucionet përkatëse dhe ekipet e reagimit janë mobilizuar dhe se inspektimet në terren janë duke vazhduar për të vlerësuar dëmet e mundshme dhe për të garantuar sigurinë publike.