Para 28 viteve më 3 tetor ishte kryer atentat mbi presidentin e atëhershëm të shtetit, Kiro Gligorov, i cili e mbijetoio me lëndime të rënda në kokë. Në vendin e atentatit ndërroi jetë shoferi i tij Aleksandar Spirovski, ndërsa ishte lënduar edhe truproja e tij, Ilço Teovski. Si pasojë e lëndimeve ndërroi jetë edhe kalimtari i rastit Hristo Hristomanov, ndërsa u lënduan edhe Klime Korobar dhe Jovan Atanasovski.
Mbetet e panjohur se kush qëndronte pas atentatit. Procedura hetuese e cila zhvillohet kundër një autori të panjohur ende është e hapur. Hetimi konfirmoi se atentati ka qenë mirë i përgatitur dhe organizuar dhe se vetëm rrethanë fati është që presidenti Gligorov i mbijetoi atentatit.
Sulmi është kryer me auto-bombë më 3 tetor të vitit 1995 në ora 9:50 në rrugën “Maqedonia” para hotelit “Bristol” në Shkup kur Gligorov me automjet zyrtar ka lëvizur nga rezidenca e tij në vendin e punës në Kuvend.
Në një automobil “citroen ami 8” kanë qenë të fshehura 20 kilogramë eksploziv, i cili është aktivizuar me telekomandë kur automjeti i Gligorovit lëvizte drejt ndërtesës së Kuvendit. Para shpërthimit automjetin zyrtar të presidentit në rrugën “Maqedonia” e ka ngadalësuar një “fiqo”.
Në hetim janë kontrolluar 30.850 automjete dhe janë kontrolluar mbi 15.000 objekte, janë identifikuar më shumë se 188.000 persona, nga të cilët 19.000 janë kontrolluar. Ministria e Punëve të Brendshme zhvilloi edhe disa intervista informative me persona që i konsideronte si autorë të mundshëm të atentatit, por të gjithë pas marrjes në pyetje u lanë të lirë.
Kiro Gligorov ndërroi jetë në moshën 94 vjeçare, më 1 janar të vitit 2012.