Organizata e cila promovon minoritetin grek në Shqipëri, OMONIA feston 29- vjetorin e saj dhe Presidenti grek Pavlopoulos i ka dërguar një letër ambasadës në Tiranë.
Ai thotë se Greqia e ndjek nga afër çështjen e minoritetit grek me të cilën merret dhe OMONIA si dhe kujton sërish se respektimi i të drejtave të tyre është një kusht që Greqia ia ka vendosur Shqipërisë për në Bashkimin Europian.
Me rastin e 29 vjetorit të themelimit të organizatës së minoritetit grek Omonia, ambasada e Greqisë në Shqipëri organizon një aktivitet festiv, gjatë të cilit ambasadorja Soia Filipidu do të transmetojë mesazhin e presidentit Pavlopulos. Në letrën e tij, presidenti grek shënon se “Greqia është e gatshme në çdo kohë të mbështesë çdo iniciativë e aktivitet për progresin e mirëqënien e minoritetit grek të Shqipërisë, pranë të cilit qëndrojmë të paepur e do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Gjatë kësaj periudhe organizata Omonia, shpesh herë në kushte tepër të vështira, arriti të përfaqësojë me dinjitet Helenizmin e Shqipërisë, duke dhënë mjaft beteja për mbrojtjen e të drejtave themelore bazë” ka theksuar Pavlopulos.
Më tej presidenti grek shton “Sot, mbrojtja e të drejtave minoritare dhe të pasurisë së Minoritetit Etnik grek janë pjesë e pandarë e kritereve që BE i ka parashtruar Shqipërisë për integrimin e mëtejshëm”
ndërsa ka theksuar se “Greqia e ndjek çështjen nga afër dhe hedh të gjjtha hapat e duhura për sigurimin e të drejtave të minoritarëve grekë në Shqipëri”.
Presidenti grek vijon mesazhin e tij duke këshilluar organizatën dhe gjithë minoritarët të konceptojnë saktë e sa më parë rëndësinë e madhe të bashkëpunimit, të bashkimit në një entitet të vetëm, ndërsa kërkon angazhimin e vazhdueshëm e të gjithëve, sidomos në ditët e sotme:
“Për t’u përballur me çdo sfidë të shfaqur është tepër i rëndësishëm aktivizimi i vazhdueshëm dhe iniciativat që ndërmerrni. Rezultati i dëshiruar vjen nëse krijoni kushte për konsensus, komunikim si dhe hidhen hapa të koordinuara, të studiuara, çfarë vihet re se në mjaft raste, në vitet e mëparshme, kanë munguar ndjeshëm” ka vënë re presidenti grek, në mesazhin e dërguar sot në ambasadën e Greqisë në Shqipëri.
(BalkanWeb)