Kohë më parë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte deklaruar se nuk është gjë e madhe nëse festohet me armë, kësisoj kanë vepruar edhe shumë qytetarë të Kosovës për të festuar vitin e ri.
Vetëm gjatë natës së ndërrimit të moteve, 3 persona janë lënduar nga plumbat qorr, në pjesë të ndryshme të vendit, raporton KTV.
Përveç këtyre, 18 persona të lënduar nga mjetet piroteknike kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Prishtinë.
Derisa ka bërë vazhdimisht thirrje që të festohet pa armë, policia thotë se po vazhdon hetimet për të dyshuarit për përdorim të armëve.
Një person ka vdekur natën e vitit të ri, pasi që është vetaksidentuar në fshatin Pozhoran të Vitisë.
Janë edhe 13 persona të tjerë të lënduar nga aksidentet në trafik sipas policisë, e cila njoftoi se gjobiti 443 persona në 24 orët e fundit për kundërvajtje në komunikacion.