Rreth 30 mijë maturantë do t’i nënshtrohen Testit të Maturës Shtetërore, i cili do të mbahet sot më 14 qershor. Testimi do të zhvillohet në 201 qendra, ndërsa do të monitorohet nga 2 mijë e 100 administrues, të cilët janë përzgjedhur në bazë të kritereve nga Ministra e Arsimit, shkruan sot, gazeta Zeri.
Këshilltari i ministrit të Arsimit, Azem Guri, ka bërë të ditur së kjo Ministri ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura në mënyrë që procesi i testimit të maturës shtetërore të zhvillohet ashtu siç është i paraparë.
“Ne si Ministri kemi kryer të gjitha përgatitjet për procesin e testimit. Në këtë ditë do të marrin pjesë 30 mijë maturantë, ku 25 mijë janë nga ky vit, ndërsa 5 mijë të tjerë janë nga vitet e kaluara. Procesi i testimit do të zhvillohet në 201 qendra, ndërsa risi për këtë vit është përzgjedhja e 2 mijë e 100 administruesve që janë nga niveli komunal, por që këtë vit janë përzgjedhur në bazë të kritereve që i ka vendosur Ministria e Arsimit e të cilët më pas edhe janë trajnuar dhe janë informuar me rregullat dhe përgjegjësitë e mbarëvajtjes së Testit të Maturës. Këta administrues do të kenë për detyrë kontrollimin dhe mbikëqyrjen e testimit në klasë ku do të jenë nga 15 deri në 17 maturantë”, ka thënë ai për gazetën “Zëri”.
Guri më tutje ka bërë të ditur se për të mbikëqyrur zhvillimin e testit kanë angazhuar edhe 600 komisionarë nga Ministria e Arsimit.