Zbardhen detaje të reja nga afera e Portit të Durrësit, pas publikimit në fletoren zyrtare të marrëveshjes kuadër mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë “Eagle Hills”, që është në pronësi të biznesmenit arab, Muhamed Alabbar.
Sipas marrëveshjes, kapitali fillestar i investimit nga kompania, që ka marrë falas mijëra metra katrorë tokë në Durrës, do të jetë vetëm 3.5 milionë lekë. Në pikën 4.5 të marrëveshjes, thuhet se biznesi do të ketë emrin tregtar “Durrës Marina SH.A”, e seli në Portin e Durrësit. Po në këtë pikë, sqarohet se Kapitali Fillestar Total, pra kapitali i të gjitha kompanive aksionere, do të jetë vetëm 3.5 milionë lekë të reja.
Ky kapital ndahet më pas në aksione, ku shumicën e tyre, pra 67 përqind të aksioneve, e ka kompania Eagle Hills, e biznesmenit Alabbar. Pjesa tjetër e 33 përqind e aksioneve, zotërohet nga kompania ASDC, në pronësi të familjarëve të biznesmenit arab.
Në pikën 5.1, marrëveshja parashikon rritje të kapitalit fillestar nga investitori strategjik, përpara dorëzimit të fazës së parë. Në këtë pikë merr përgjigje fakti se pse kompania Eagle Hills i ka bërë publicitet shitjes së qindrave apartamenteve, kur projekti është ende në letër dhe nuk ka dalë leja e ndërtimit.
Nga shitja paraprake e apartamenteve, Muhamed Alabbar duket se synon të grumbullojë para për të vijuar më pas investimin, po me para të qytetarëve shqiptarë.
© SYRI.net