Gazetar: Suad Bajrami
Herë këtë enjte e herë atë enjte, Bekim Sali pse na rrejte. Katër muaj zëvendëskryeministri i parë u premton studentëve zgjidhje për provimin e jurisprudencës në shqip, për të përfunduar në pozicionin “pak shqip, pak maqedonisht”. E kur pyetet për deklaratat e Mickoskit që thotë se me VLEN-in nuk negocion, por vetëm bisedon, Sali nxjerr dufin me gazetarët, duke i pyetur nëse janë gazetarë.
Nëse rikthehemi në periudhën e kaluar, ndaj peticionit të dorëzuar nga studentët më 1 shkurt te Ministria e Drejtësisë (Peticioni, kronika 1 shkurt Avni), Sali disa ditë më vonë e shpalli ligjin e jurisprudencës me defekt.
“Ka një defekt në ligj. Nuk është precizuar gjuha në të cilën duhet të jepet provimi i jurisprudencës dhe këtë defekt do të mundohemi ne tani ta përmirësojmë”, ka deklaruar Bekim Sali, Zëvendëskryeministër i parë (06.02.2026).
Dy ditë pas kësaj deklarate befasisht kryeministri thotë se në fakt e drejta e studentëve është krejtësisht legjitimi.
“Ligji për Gjuhët është i qartë në këtë rast. Nëse dikush kërkon ta japë në gjuhën shqipe duhet ti lejohet”, ka deklaruar Hristijan Mickoski, Kryeministër (08.02.2026).
Vetëm dy orë më vonë, Sali shkruan publikon fotografinë:

Megjithatë, kocka që s’kapërdihej në tërë situatën ishte ministri Fillkov i cili madje u përplas verbalisht me Salin, duke e cilësuar si mosnjohës të çështjes, meqë me profesion është stomatolog. Por për të prishur festën e Salit që nuk zgjati shumë, Mickoski u rreshtua në një linjë me Fillkovin.
“Ne duhet patjetër që këtë proces të provimit fillimisht ta konstatojmë me ligj”.
“Ligji kështu siç është nuk lejon atë lloj të dhënies së provimit. Unë jam i gatshëm që atë ta rregullojmë me ligj dhe jo vetëm për gjuhën shqipe”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër (10.02.2026).
Me këtë rast, Salit s’i mbeti gjë tjetër, pos të rikthehet te deklarata fillestare se ligji duhet të ndryshohet. Ndërkohë studentët paralajmërojnë protestën e parë për më 6 prill, ndërsa një ditë përpara Mickoski u premton zgjidhje.
“Unë u garantoj studentëve se ashtu siç janë gjetur shumë zgjidhje për shumë sfida dhe shumë lëshime në të kaluarën, ashtu edhe për këtë do të gjendet zgjidhje përkatëse”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër (05.04.2026).

E s’kishte s’i mos t’i rreshtohej pas kryeministrit, zëvendëskryeministri i parë Sali i cili në ditën e protestës nxori një fotografi me premtimin “Studentët shqiptarë do ta japin provimin në gjuhën shqipe dhe ne i qëndrojmë asaj që kemi thënë!”.
Por kryeministri një ditë më vonë thotë se fjala është një, por kushtetuta është tjetër, ndërsa paralajmëron se ligji duhet t’i nënshtrohet edhe Komisionit të Venecias.
“Kërkesa është një, por kushtetuta dhe standardet ndërkombëtare janë tjetër dhe patjetër duhet ashtu të sillemi, nëse duam me të vërtetë duam të sillemi në mënyrë evropiane, atëherë patjetër duhet t’i respektojmë edhe Kushtetutën edhe standardet ndërkombëtare”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër 7 prill 2026.
Në po të njëjtën ditë, pra më 7 prill, Sali është mysafir në Alsat, por nuk preferon të japë afat për fjalën e dhënë.
“Nuk e kam princip të flas për afate për diçka që nuk varet në mënyrë direkte prej meje dhe ka më shumë faktorë që janë të kyçur”, tha Bekim Sali, 7 prill 2026.

Të enjten e 9 prillit Sali paraqitet në pyetje deputetësh në Kuvend, ndërsa poston fotografi me përmbajtjen përsëritëse “Studentët shqiptarë do ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe”.
Të zhgënjyer se problemi nuk zgjidhet, studentët paralajmëron protestën e dytë për më 18 maj. Derisa Mexhiti e Kasami për ditën e protestës paralajmëruan takim urgjent me Mickoskin për ta dakorduar çështjen, Sali u rikthehet statuseve të Facebookut me fjalinë “Studentët do ta japin provimin në gjuhën shqipe”, me shtesën “së shpejti me lajme të mira”.

Më 18 maj, Sali publikon një video nga foltorja e Kuvendit me deklaratën e njëjtë, ndërsa 3 ditë më vonë më 21 maj fillon të duket pak më konkret.
“Ndoshta edhe një javë mund të zgjasë deri në vendimin final të cilin do ta promovojmë në mënyrën e njëjtë pasi që nga fillimi”, thotë Sali më 21 maj.

Nga e enjtja që kishte premtuar, më 25 maj premton një të enjte tjetër.

E kur të gjithë e prisnin zgjidhjen, Sali del me një qëndrim tjetër, ku falënderon komisionin që ka kryer punë me ligjin e jurisprudencë.
Ndonëse gjatë tërë kohës ka premtuar provim shqip, për Alsat Sali thotë se është arritur marrëveshje që megjithatë, provimi të jetë një pjesë në shqip e një në maqedonisht.
“Kemi të bëjmë vetëm me pjesën praktike ku lëndët që do të jepen në test, do të jenë në gjuhën maqedone. Pra, vetëm ajo pjesë mbetet, pjesa tjetër teorike ne e kemi zgjidhur”,Bekim Sali, Zëvendëskryeministër i parë (01.06.2026)
Megjithatë, 10 ditë më vonë kryeministri thotë se s’janë dakorduar asgjë, pasi me VLEN-in nuk negocion, por bisedon.
“Kryeministër, dje keni pasur takim me grupin e punës për provimin e jurisprudencës, për çfarë u morët vesh? Asgjë. Ne jemi partnerë qeveritarë dhe bisedojmë për çdo temë. Nëse më pyesni nëse partnerët qeveritarë kanë biseduar, atëherë do t’ju përgjigjem se po, kemi biseduar”, theksoi Mickoski më 9 qershor.
Sali, në mungesë të përgjigjes, në pyetje gazetareske për të komentuar deklaratën, pyet “A je gazetar?”./Alsat.mk.



