Në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë mbajtur fjalët përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj Milorad Gjokoviqit, i akuzuar për krime lufte në Kosovë. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar që i akuzuari të shpallet fajtor dhe ndaj tij të shqiptohet dënimi maksimal i paraparë me ligj.
Prokurori i rastit, Ilir Morina, gjatë fjalës përfundimtare deklaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësor, sipas tij, janë administruar prova që dëshmojnë përtej çdo dyshimi përfshirjen e Gjokoviqit, i njohur me nofkën “Mici”, në veprimet e forcave policore dhe paramilitare serbe në zonën e Ozdrimit dhe fshatrave përreth më 7 maj 1999.
“Ky rast nuk ka të bëjë me njerëz të panjohur për njëri-tjetrin. Bëhet fjalë për fqinj, njerëz që njiheshin mes vete dhe njihnin shtëpitë e njëri-tjetrit. Por më 7 maj 1999, disa prej tyre u bënë pjesë e një force të armatosur që solli vdekje, vuajtje dhe shkatërrim”, tha Morina.
Sipas Prokurorisë, dëshmitë e paraqitura për vrasjen e Esat Morinës dhe anëtarëve të familjes Krasniqi krijojnë një varg provash që, sipas saj, e lidhin Gjokoviqin me veprimet e forcave serbe.
Morina theksoi se një dokument zyrtar, lista e rezervistëve të rajonit të Pejës, e përfshin emrin e Gjokoviqit si pjesë të strukturave policore serbe. Ai përmendi edhe deklarata të dëshmitarëve, të cilët sipas tij e kanë identifikuar “Micin” si person me rol drejtues gjatë operacioneve në zonën e Ozdrimit.
“Dëshmitarët e vendosin të pandehurin në vendet ku kanë ndodhur ngjarjet kryesore, përfshirë afër viktimës Esat Morina dhe në oborrin e shtëpisë së një prej të dëmtuarve”, tha prokurori.
Ai shtoi se familjet e viktimave nuk kërkojnë hakmarrje, por drejtësi, duke i propozuar gjykatës që Gjokoviqi të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas dispozitave ligjore.
Ndërkohë, i dëmtuari dhe dëshmitari në këtë rast, Ferat Morina, tha se vendimin ia lë drejtësisë, por kërkoi kompensim për dëmet e shkaktuara gjatë luftës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Millorad Gjokoviq dyshohet se gjatë viteve 1998-1999, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në veprime që përfshijnë vrasje, torturë, keqtrajtim, arrestime, dëbim të civilëve shqiptarë, si dhe plaçkitje e shkatërrim të pronave.
Në aktakuzë pretendohet se gjatë ofensivës në fshatin Ozdrim të Pejës dhe zonat përreth, forcat serbe kanë vrarë disa civilë shqiptarë, ndërsa disa të tjerë mbeten ende të zhdukur.
Gjykata pritet që pas përfundimit të fazës së fjalëve përfundimtare të shpallë vendimin për këtë rast.



