Ministria e Jashtme e Shqipërisë njoftoi se deri tani, nuk ka shqiptarë të vrarë nga përplasja e trenave në Greqi, por vetëm 5 persona të plagosur që janë jashtë rrezikut për jetën.
Në njoftimin zyrtar thuhet:
Mbi 40 persona raportohet se kanë humbur jetën dhe mbi 80 janë plagosur në një aksident treni jashtë qytetit të Larisës në Greqi të martën mbrëma. Sipas raportimeve, aksidenti u shkaktua kur një tren pasagjerësh u përplas me një tren mallrash jashtë Larisës dhe më pas doli nga shinat. Aksidenti ka ndodhur pak pas orës 23:00, në Evangelismos, pranë Tempit. Treni kryente linjën Selanik-Larisa dhe ishte nisur në orën 19:22.
Aksidenti më i rëndë i trenit në historinë e Greqisë
Përballë aksidentit më të rëndë hekurudhor të hekurudhave greke janë ekipet e shpëtimit që po bëjnë ende përpjekje të mëdha për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat e trenave.
Në vendin e aksidentit, dy vinça të mëdhenj po ngrenë pjesë të makinave të pasagjerëve që janë shtypur nga përplasja e frikshme dhe janë kthyer në një masë hekuri pa formë.
Forcat speciale të EKAM-it me mjete prerëse dhe me bombola oksigjeni vazhdojnë të presin llamarina nga vagonët e parë në kërkim të njerëzve.