50 burra, gra e fëmijë arbëreshë do të shpalosin kulturën 500 vjeçare, në 550 vjetorin e fitores së Skënderbeut.
Arbëreshët e Kalabrisë për dy ditë do të shpalosin traditën e kamotshme të trashëguar brez pas prezi, më tepër se 500 vjet, aktivitete këto që do të mbahen në Vendvarrimin e Heroit, në kështjellat e Lezhës, Krujës, Shkodrës, Kepit të Rodonit, Muzeun Arkeologjik dhe në Amfiteatrin e Durrësit, shkruan KultPlus.
Lëvizja ‘Foleja Kombëtare Shqiptare’ në bashkëpunim me Shoqatën ‘La Svolta’, me Bashkitë e Lezhës, Krujës, Shkodrës, Durrësit dhe me dy Komuna arbëreshe në Kalabri, do të përkujtojnë 550-vjetorin e betejës së fundit me fitore të ushtrisë arbërore të udhëhequr nga Gjergj Kastrioti në Krujë, më 24 prill 1467, pas një rrethimi të tejzgjatur nga pushtuesi osman.
Kjo ngjarje e rëndësishme mbarëkombëtare do të mbahet në datat, 22 – 24 prill 2017 me dëshirën që ‘Vallja e Fitores’ të bëhet traditë e përvitshme në Shqipëri. Aktivitetet do te zhvillohen në Vendvarrimin e Heroit, në kështjellat e Lezhës, Krujës, Shkodrës, Kepit të Rodonit, Muzeun Arkeologjik dhe në Amfiteatrin e Durrësit, thuhet në njoftim.
Sipas këtij programi: Do të vijnë 50 vetë (burra, djem, gra, vasha e fëmijë) të pajisur me veshje tradicionale. Në pasditen e dt. 22, grupi do të shkojë në Krujë, ku nga shtatorja e Gjergj Kastriotit, përmes Pazarit e deri brenda në Kështjellë, arbëreshët do të shpalosin traditën e kamotshme të trashëguar nga brezi në brez për më tepër se 500 vite, të betejës për jetë a vdekje të ushtrive osmane-arbërore, ku nga më i moshuari e deri te më i mituri, do të ndalin vajtimin e do të shijojnë gëzimin e fitores.
Ditën e dytë, grupi do të bëjë homazhe te Mauzoleu (vendvarrimi) i Gjergj Kastriotit në Lezhë, datë që përkon me ditëlindjen e Gjergjit, më 23 prill 1405 dhe ditën e martesës së tij me Donikën, më 23 prill 1451. Pasdite, grupi do të vizitojë Kështjellën ‘Rozafa’ në Shkodër, ku do të shpalosen traditat arbërore edhe atje. Ditën e tretë, në paraditen e dt. 24, grupi do të vizitojë kështjellat; në Lezhë e në Kepin e Rodonit. Kurse, pasdite, grupi do të vizitojë Muzeun Arkeologjik dhe në fund, Amfiteatrin e Durrësit.