6 muaj pas arratisjes, Artan Grubi bëhet aktiv në rrjetet sociale

Gazetar: Suad Bajrami

Derisa Maqedonia e Veriut tanimë gjashtë muaj e kërkon me fletëarrest të brendshëm dhe ndërkombëtar për ta arrestuar, ish zëvendëskryeministri Artan Grubi shpërndan fotografi në rrjete sociale. Në postimet që janë publike në profilin i tij të verifikuar, shihen fotografi të aktivistëve, të cilët e kanë uruar për 48-vjetorin e lindjes. Sipas të dhënave që ofron rrjeti social Facebook, personi në kërkim Grubi, evidentohet se ka qenë online sot në orët e mesditës, ndërsa nuk ofrohen të dhëna për lokacionin prej ku janë publikuar fotografitë. Mbetet e paqartë nëse fotografitë i ka publikuar personalisht Grubi, apo ndonjë i afërt i tij. Në ndërkohë, mbetet e paqartë nëse gjatë postimit të fotografive është përdorur aplikacion që mundëson ndryshimin e lokacionit prej ku është bërë publikimi i fotografive, apo i njohur si VPN.

Autoritetet policore vendase, të cilët kërkojnë ndihmën e Interpolit për ta lokalizuar dhe arrestuar Grubin, i cili së bashku me Përparim Bajramin, gjithashtu në arrati dyshohen për keqpërdorime dhjetëra milionëshe në Lotarinë Shtetërore, ende nuk kanë një përgjigje për vendndodhjen e tyre. Grubi u arratis në 17 dhjetor të vitit të kaluar nëpërmjet pikës kufitare Bllacë, me ndihmën e një biznesmeni, pavarësisht faktit që ai ka qenë në STOP listën policisë për të kaluar kufirin. Grubi në atë kohë përmes një njoftimi në facebook pati thënë se nuk është arratisur, por ndodhet jashtë vendit për vizitë private.

Arratisja, ndodhi pas intensifikimit të veprimeve nga organet e përndjekjes rreth veprimtarisë së Grubit, i cili asokohe sapo ishte futur në Listë të Zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ndërhyrje në gjyqësor dhe korrupsion me qëllim për ta shpëtuar ish shefin e Policisë Sekrete, famëkeqin Sasho Mijallkov.

Dy javë pas arratisjes, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në një deklaratë para mediave në Prishtinë, deklaroi që Grubi nuk është në arrati, por është diku në trojet shqiptare.

“Zotëri Grubi, sipas informatave që i kam, nuk e kam takuar, është mirë. Vendndodhja e tij akoma është, sigurisht që është diku në hapësirat shqiptare. Është një proces që duhet të marrë epilog. Artan Grubi nuk është arratis nga Maqedonia, Artan Grubi është i gatshëm të përgjigjet para organeve të drejtësisë, të respektojë ligjet, por jo me drejtësi hakmarrëse e selektive”, pati thënë Ali Ahmeti, kryetar i BDI.

Biografia politike e Grubit, kishte nisur nëpërmjet organizatës Zgjohu, dorë e zgjatur e BDI-së, sidomos në protestat e vitit 2011 kundër ndërtimit të një objekti në Kala që pretendohej të transformohej në kishë. Prej atëherë, Grubi, shpejtë ngjiti shkallët në parti, u bë shef kabineti e këshilltar politik i Ahmetit, ndërkaq në vitin 2019-të u bë sekretar organizativ. Ahmeti, ishte aq i afërt me Grubin, saqë lejoi që të shkëputet një pjesë e anëtarësisë së partisë e cila për një periudhë funksionoi si i ashtuquajturi “Grupi i Zjarrit”, për shkak të mospajtimeve me Grubin, të cilin e kishte bërë zëvendëskryeministër të parë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme