65 milionë euro kthim bruto nga investimet që bëri Fondi Pensional

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) e përmbylli vitin me rezultat pozitiv në të gjitha fushat e operimit.

Performanca e investimeve dhe kthimi bruto nga investimet për vitin 2016, ishte rreth 65 milionë euro.

Këtë e kanë bërë të ditur përmes një komunikate zyrtarët e FKPK-së, ku thuhet se ka vlerësuar se në total, kthimi bruto nga investimet e FKPK-së prej vitit 2003 e deri më 2016, ka arritur në rreth 316 milionë euro, ndërsa, çmimi i aksionit për të njëjtën periudhë është ngritur për rreth 39 për qind. Për vitin 2016, çmimi i aksionit është ngritur për 4.4 për qind.

Ky rezultat nga investimet, sipas njoftimit, mbështetet në lëvizjen pozitive të tregjeve financiare për vitin. Edhe pse tregjet globale ishin nën efektin negativ të rezultateve të paparashikuara politike në Britaninë e Madhe rreth BREXIT, dhe zgjedhjeve për president në SHBA; përmirësimi i treguesve ekonomikë në nivel global, bashkë me ngritjen e çmimit të naftës, ndikoi pozitivisht në rikuperimin dhe ngritjen e tregjeve. Përveç performancës së investimeve, FKPK konsideron se këtë vit kishte rritje rekorde të mjeteve nën menaxhim dhe kontributeve të arkëtuara. Gjithashtu, FKPK-ja ka vazhduar me përmirësimin e shërbimeve ndaj kontribuuesve, duke zgjeruar shërbimin me katër banka komerciale për pagesën e pensioneve në faza, derisa numri i kontribuuesve njohu rritje domethënëse.

“Në fund të 2016-s mjetet neto që FKPK-ja kishte nën menaxhim iu afruan vlerës së 1.42 miliardë eurove, ose një rritje prej 189 milionë euro nga fund viti i kaluar. Në rritjen e mjeteve nën menaxhim ndikuan: kontributet e reja me 152 milionë euro dhe kthimi nga investimet prej 65 milionë euro. Ndërkohë për të njëjtën periudhë: për pension u shpaguan 19 milionë euro, për tarifa menaxhuese 6 milionë euro dhe u refonduan 2 milionë euro.”, thuhet në njoftimin e FKPK-së.

Po ashtu, ata kanë njoftuar se këtë vit ishin edhe 4,447 përfitues të rinj të pensionit që tërhoqën rreth 19 milionë euro. Prej themelimit e deri më tani numri i të pensionuarve shkoi në 33,609 dhe vlera që kanë tërhequr këtë përfitues të pensionit ka qenë rreth 91 milionë euro.

Ndërsa ,numri i llogarive në total u shtua për 33,960 dhe arriti në 541,923. Kurse, numri i llogarive aktive u shtua për 15,235 dhe arriti në 312,681.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme