Inspektorati komunal i Prizrenit i nxitur nga raportimet e fundit të Gazetës Metro, vizitoi qendrat tregtare për kontrollë të mishit, e cila vizitë rezultoi me kapjen e hiç më pak se 720 kilogramë mishi të prishur.
Metro mëson se mishi i kapur në Prizren i takon kompania së deputetit kosovar, Ramiz Kelmendi, shkruan gazetametro.net.
Këtë gjë e konfirmojnë edhe fotografitë e publikuara nga kryetari i kësaj komune, Mytaher Haskuka, në të cilën shihet etiketa e kompanisë Elkos SHPK.
“Gjatë aksionit tërë javor të inspektimit të mishit në Komunën tonë, sot është hasur në mish me afat të skaduar, në njërën prej qendrave më të mëdha tregtare në qytet”, ka shkruar Haskuka.
Ndërkaq, kuptohet se ky mish i kapur kishte origjinë nga Holanda, e të cilit i kishte kaluar afati e madje edhe i ishtë ndërruar ngjyra, shija dhe era.
Prizreni bëhet komuna e katërt që pas Mitrovicës, Ferizajt e Skënderajt, kap sasi të konsiderueshme të mishit të prishur nëpër qendra tregtare.
Skandali i mishit nëpër markete nisi kur Metro raportoi ekskluzivisht për 1.1 ton në Mitrovicë, të kapur në ETC dhe VIVA Fresh Store.