Të paktën nëntë persona u vranë dhe 75 të tjerë u plagosën në një bombardim artilerie izraelite ndaj një qendre trajnimi të drejtuar nga OKB-ja që strehonte persona të zhvendosur në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës, tha agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, transmeton Anadolu.
“Dy fishekë tankesh goditën një ndërtesë që strehon 800 njerëz”, tha në “X” Thomas White, Drejtor i Agjencisë së OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinë (UNRWA) në Gaza.
Ai shtoi se ekipet e UNRWA-së dhe OBSH-së po përpiqen të arrijnë në qendër.
Sipas një gazetari të Anadolus, një zjarr shpërtheu në qendër si pasojë e granatimeve izraelite.
Ushtria izraelite tha të martën se ka kryer rrethimin rreth qytetit Khan Younis, për të cilin Tel Avivi thotë se është bastion i Hamasit.
Izraeli ka kryer sulme vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, duke vrarë të paktën 25.700 palestinezë dhe duke plagosur 63.740 të tjerë. Gati 1.200 izraelitë besohet se janë vrarë në sulmin e Hamasit.
Lufta izraelite ka zhvendosur brenda 85 për qind të popullsisë së Gazës, e cila përballet me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa më shumë se gjysma e infrastrukturës së enklavës, sipas OKB-së, është dëmtuar ose shkatërruar.