91 vjet nga lindja e Fitnete Rexhës, këngëtarja që i dha jetë edhe këngës “Fërfëlloj fëllënza në ujë”
Sot janë bërë 91 vjet që nga lindja e këngëtares së njohur Fitnete Rexha, e cila është një nga emrat më të shquar të muzikës së mirëfilltë shqipe dhe asaj qytetare të Tiranës.Këngëtarja, e cila ka lindur më 3 prill 1933 dhe ka vdekur më 14 gusht të vitit 2003, mban në repertuarin e saj mbi 200 këngë popullore të Shqipërisë së Mesme, ku prej tyre më të zgjedhura janë: “Fërfëlloj fëllënza në ujë’’, “Te selvitë e Namazgjasë”, “Qënke veshur me të bardha”, “Mu aty tek shtatë zymbylat”, “Dy të bukurat në nji derë”.
Dëshira për t’u marrë me muzikë i kishte lindur qysh në fëmijëri, pasi ajo ishte vajza e Rexh Delisë “Hero i Popullit”, familje që njihej për vlerat e traditës dhe ku kënga popullore kultivohej për shumë vite.
Regjistrimin e këngëve të para, Fitnete Rexha e bëri rreth moshës 15-vjeçare në Radio-Tirana, nën shoqërinë e grupit orkestral të Shqipërisë së mesme të drejtuar nga Muharrem Gura dhe Skënder Reka.
Karrierën e saj si këngëtare e filloi në Estradën e Tiranës, dhe më pas aktiviteti i saj më tutje u zhvillua pranë A.K.V.P-së në Tiranë deri në daljen në pension në vitin 1981.
Për kontributin e saj të madh, në ruajtjen dhe kultivimin e këngës së pastër shqipe Fitnete Rexha u shpall “Artiste e Merituar” nga autoritetet shtetërore të Shqipërisë. /kultplus