Makineritë e kompanisë Bechtel&Enka po vazhdojnë t’u dalin në ndihmë banorëve të Fshatit Kukaj.
Por, kjo nuk mjafton. Banorët e fshatit thonë se është pikërisht kompania që po ndërton autostradën ajo e cila shkaktoi gjithë dëmin, raporton KTV.
Nëse dëmi nuk kompensohet, ata thonë se do të ndjekin rrugët ligjore, duke bërë padi ndaj kompanisë.
Edhe vetë kryetari i komunës, Besim Ilazi, thotë se dëmi ndodhi nga punimet e Bechtel&Enkës.
E zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, thotë se do të analizojnë situatën por nuk tregon se kush do t’i kryejë kompensimet, pavarësisht rezultateve.
Ndërsa zëdhënësja e Bechtel& Enkës, Ela Ruçi, nuk pranon se dëmet janë bërë nga kompania, por tregon se sërish do të presin raportin e ministrisë.
E nëse ministria vendos se vërshimet janë të shkaktuara nga natyra, atëherë komuna nuk ka buxhet për raste emergjente. Deri tash, thonë se për të tilla dëme nuk u ka dalë në ndihmë pushteti qendror.