Reformat e ndërmarra nga qeveria por edhe të qenurit portë hyrëse e rëndësishme për Europën Lindore dhe Ballkanin kanë bërë që Shqipëria të tërheqë rreth 13% të investimeve të huaja që bëhen në rajon. Investimet e huaja në vend për 2017-ën llogariten përtej 1 miliard dollarëve, ndërsa për këtë vit kjo shifër pritet të jetë edhe më e lartë.
Për kryeministrin e vendit, Edi Rama, investimet e huaja janë domosdoshmëri jetike dhe sot përbëjnë prioritetin e prioriteteve. Tashmë Shqipëria ka një kuadër rregullator krejtësisht të ri e posaçërisht të fokusuar në tërheqjen e investimeve të huaja, apo “zgjimit”, të kapitalit të vendas.
Ligji i cili i kategorizon edhe njëherë investimet strategjike e forcon edhe më tej garancitë juridike për investitorët sjell dy risi themelore në raport me investitorët strategjikë. E para ka të bëjë me garancitë juridike dhe e dyta afron instrumentin “fast track”, një korsi të shpejtë në administratë për të mbështetur investitorët që të marrin lejet dhe të fillojnë investimin e tyre.
Investimet e huaja të cilat do të kishin më shumë impakt në zhvillimin ekonomiko-social të vendit do të ishin ato që do të ndihmonin në rritje të mëtejshme të produktivitetit në vend. Sektorët me potencial investimesh strategjike
Të tillë konsiderohen sektori energjetik dhe minerar, si dhe nën sektorët përkatës, energjetik, hidrokarbur apo minerar; sektori i transportit, infrastrukturës e komunikimeve elektronike dhe mbetjet urbane, me nën sektorët e transportit detar, ajror, hekurudhor, të rrjeteve të transportit, komunikimeve elektronike, mbetjet urbane, si dhe ujësjellës-kanalizimeve; sektori i turizmit, me nën sektorin e strukturave turistike; sektori i bujqësisë dhe peshkimit, me nën sektorët e prodhimit bujqësor, infrastrukturës së blegtorisë dhe peshkimit; dhe sektori i zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, me nën sektorin e parqeve industriale/teknologjike.
Kriteret e përzgjedhjes së investimit strategjik
Sipas përcaktimeve të reja ligjore investimet strategjike janë investimet private, publike ose publike-private, të cilat kanë impakt në ekonominë kombëtare dhe që kryhen nga persona juridikë vendas, të huaj, ose në formën e bashkëpunimit ndërmjet personave juridikë, vendas dhe të huaj.
Kriteret për përcaktimin e interesit publik në përzgjedhjen e një investimi strategjik, janë: vlera e investimit; koha e realizimit të investimit; produktiviteti dhe vlera e shtuar e investimit; hapja e vendeve të reja të punës; prioriteti ekonomik sektorial; zhvillimi ekonomik rajonal; zhvillimi apo përmirësimi i kushteve dhe standardeve për prodhimin e mallrave dhe ofrimin e shërbimeve; ofrimi i teknologjive të reja për të rritur konkurrueshmërinë dhe efektivitetin e investimit; rritja e nivelit të përgjithshëm të sigurisë dhe cilësisë së jetës së qytetarëve dhe mbrojtja e mjedisit dhe konsumatorit.
Lehtësitë tatimore për investimet strategjike në turizëm
Qeveria shqiptare miratoi një paketë lehtësisht tatimore që do të zbatohet për investimet strategjike kryesisht në sektorin e turizmit, i cili po njeh një ‘bum’ të lartë zhvillimi vitet e fundit. Statistikat zyrtare flasin për 1.5 miliardë euro të ardhura gjatë vitit 2017 nga turizmi, ndërsa këtë vit qeveria pret 1.7 miliardë euro të ardhura nga ky sektor.
Paketa parashikon që nga 1 janari, hotelet e reja me 4 dhe 5 yje që ndërtohen rishtaz do të përjashtohen për dhjetë vjet nga tatim-fitimi. Paralelisht, atyre u hiqet taksa e infrastrukturës dhe do të kenë një shkallë të reduktuar TVSH-je 6%.
Por, lehtësitë tatimore nuk janë oferta e vetme që qeveria ka për biznesin. Paralelisht, investimet do të nxiten edhe nga reforma e derregullimit, e cila thjeshton procedurat dhe ul kostot për biznesin.
Të dhëna mbi import/eksport
Gjatë vitit 2017 eksportet e mallrave arritën vlerën 273 miliardë lekë, duke u rritur me 12.1 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 626 miliard lekë, duke u rritur me 8.1%, krahasuar me një vit më parë.
Struktura e eksporteve
Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë “materiale ndërtimi dhe metale” me +4.9%, “tekstile dhe këpucë” me +4.4%, “ushqim, pije, duhan” me +1.9%. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -1.4 %, kjo për shkak të thatësirës së madhe që kaloi vendi në pjesën e dytë të vitit.
Destinacioni i eksporteve
Gjatë vitit 2017, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë Italia me 9.9%, Kosova me 26% dhe Spanja me 87.5%. Struktura e importeve
Pozitivisht në rritjen vjetore të importeve kanë ndikuar grupi “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +2.8%, “tekstile dhe këpucë” me +1.2%, “produkte kimike dhe plastike” me +1.2%.
Partnerët tregtarë
Shkëmbimet tregtare, për vitin 2017, me vendet e BE zënë 66.3% të gjithë tregtisë. Gjatë këtij viti, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 77.1% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 61.6% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia me 36.2%, Greqia me 6.8%, Gjermania po me 6.8% dhe Kina me 6.4%.
Standard and Poor’s nota pozitive për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë
Agjencia Ndërkombëtare e Vlerësimit “Standard and Poor’s” këtë javë vlerësoi me nota pozitive zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, teksa evidentoi se një sërë investimesh përfshirë tubacionin Trans-Adriatik (TAP), i cili do të lidhë Shqipërinë me Italinë dhe Detin Kaspik, apo ndërtimi i hidrocentralit të Devollit po mbështesin rritjen ekonomike. S&P i sugjeron qeverisë vijimin e reformave që ndihmojnë vendin të tërheqë investime të huaja direkte e që zhbllokojnë potencialin ekonomik të saj në energji, turizëm dhe bujqësi.