Sikur të ishte “vallëzimi diplomatik” disiplinë olimpike, Koreja Veriore do të fitonte medaljen e artë, vlerësojnë mediet perëndimore vizitën e motrës së liderit koreanoverior Kim Yo-jong në Korenë Jugore me rastin e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore.
Ofensiva treditore e sharmit të Phenianit me Kim Yo-jong un nuk kaloi pa u vërejtur në politikën botërore, e as në mediet botërore.
Derisa CNN shkruan se ajo ishte ylli i Olimpiadës dhe e quajti “Ivanka Trump e Koresë Veriore”, agjencia Bloomberg pretendon se Kim Jong-un si përgjigje në sanksionet e administratës së Trump-it e dërgoi në Lojërat Olimpike armën e tij të re – motrën e vet.
Ajo e braktisi Korenë Jugore me aeroplanin privat të vëllait të saj, pasi ia përcolli presidentit koreanojugor Moon Jae-in mesazhin e vëllait se shpreson për samit të përbashkët të dy Koreve.
Thirrja e saj e bërë për presidentin e Koresë Jugore ta vizitoj Phenianin dhe ta luaj “rolin vendimtar” në bashkimin e dy Koreve pas shtatë dekadave, ishte, sipas vlerësimit të Bloomberg-ut, kulmi i “sharmit ofensivë” me qëllim të rrënimit të narrativit amerikan për atë se Kim Jong-un është “i marrë” i cili e mundon popullin e vet në mënyrë ta shkatërrojë Nju Jorkun apo Los Anxhelosin, nëse nuk veprohet, sipas tij.
Reuters transmeton vlerësimin e analistëve dhe të ish-ministrit jugkorean Kim Sung-han i cili thotë se Veriu e shfrytëzoi Olimpiadën “të fusë pykë” në marrëdhëniet në mes të Koresë Jugore dhe SHBA dhe që eventualisht t’i zbusë sanksionet.
Qysh prej para një muaji kur Kim Jong-un e befasoi botën me paralajmërim se Koreja Veriore do të marrë pjesë në Olimpiadë, presidenti jugkorean Moon Jae-in i ka shtyrë ushtrimet ushtarake, e gostiti motrën e Kim-it dhe kushtimisht e pranoi thirrjen e saj ta vizitojë Veriun, transmeton Insajderi.com.
“Është e qartë se Koreja Veriore e fitoi medaljen e artë. Delegacioni i saj dhe sportistët janë në qendër të vëmendjes, ndërsa motra e Kim Jong-un’it para publikut jugkorean e tregoi buzëqeshjen e saj elegante. Së paku për një moment, dukej se ky është shtet normal”, thotë analisti jugorean.
Mirëpo, ministri amerikan i mbrojtjes Jim Mattis thotë se është shumë herët të thuhet se përafrimi i Koresë Veriore dhe të asaj Jugore gjatë Olimpiadës ofron shans për paqe në Gadishullin Korean. Ai hedh poshtë pretendimet se shkrirja e përkohshme e marrëdhënieve në mes të Seulit dhe Phenianit mund t’i prishë lidhjet e Seulit dhe Uashingtonit.
Pjesëmarrja e Koresë Veriore në Olimpiadë i ka mundësuar Kim-it të minojë presionin e presidentit amerikan, duke pasur parasysh se disa sanksione janë shfuqizuar përkohësisht deri në fund të Lojërave, pretendon Bloomberg.
Tani është pyetje se a mund të mbeten të bashkuar SHBA dhe Koreja Jugore në mbajtjen e presionit ndaj Koresë Veriore. Dhe derisa këshilltarët e Trump-it kërcënojnë me aksion ushtarak ta pengojnë Kim-in të vijë deri te armatimi bërthamor, Moon dëshiron ta pengojë luftën e cila do ta shkatërronte Gadishullin Korean.