THAÇI: Institucionet e drejtësisë t’i zbardhin krimet e kryera gjatë dhe pas luftës

Sakte.net / E hënë, 10 Tetor 2016 – 17:04

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot i ka dërguar katër letra në adresë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të Këshillit Prokurorial të Kosovës. 

Këto kërkesa të presidentit Thaçi për institucionet e drejtësisë në vend, vijnë pas dorëzimit nga bashkësia ndërkombëtare tek institucionet vendore të gati të tërë kompetencave që kanë mbajtur në fushën e drejtësisë.

“Falë profesionalizmit, paanshmërisë, përkushtimit të dëshmuar të të gjithëve që punojnë sot në sistemin e drejtësisë, tani kemi marrë në duart tona përgjegjësi që nuk i kemi pasur asnjëherë. Dhe pasi që këto kompetenca janë bartur tek institucionet vendore, përgjegjësia jonë është më e madhe ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, që të vendosim drejtësinë”, ka thënë presidenti Thaçi. 

Duke u nisur nga mandati kushtetues si president, për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve, dhe si përfaqësues i unitetit të popullit të Republikës së Kosovës, presidenti Thaçi ka thënë se sot i ka dërguar katër letra në adresë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe në adresë të Këshillit Prokurorial të Kosovës, për t’i inkurajuar që t’i kushtojnë vëmendje të veçantë një numri të rasteve që shqetësojnë të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Krimet e kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë, shkatërrimet e pasurisë, veçanërisht ato të trashëgimisë historike e kulturore, ende presin të marrin përgjigjen e merituar nga drejtësia”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në letrën e parë, presidenti Thaçi ka theksuar nevojën për t’u marrë me krimet e luftës të kryera në Kosovë gjatë luftës. “Rastet e njohura të krimeve të rënda të luftës, siç është masakra kundër familjes Jashari në Prekaz, masakra në Reçak, në Izbicë, në Abri të Epërme, në Krushë të Madhe, në Likoshan, në Mejë, në Dubravë, në Qyshk, në Lubeniq, në Grashticë apo kudo tjetër në Kosovë, duhet të marrin trajtimin e duhur nga drejtësia”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në letrën e dytë, ai ka kërkuar që vëmendje t’u kushtohet edhe shumë krimeve serioze të kryera menjëherë paslufte apo në vitet e mëvonshme, siç janë vrasja e vëllezërve Bytyçi në qershor 1999, përpjekja për atentat kundër ish-presidentit Ibrahim Rugova në mars 2005, si dhe vrasja e disa personaliteteve publike. Por, edhe për rastet si ai në Grackë të Vjetër të Lipjanit, rasti në Gorazhdec të Pejës, ku u vranë dy fëmijë dhe rasti i sulmit në autobusin e ‘’Nish-ekspresit’’, në afërsi të Podujevës. 

Ndërsa, në letrën e tretë, presidenti Thaçi ka kërkuar që gjithashtu vëmendje e veçantë t’i kushtohet edhe krimeve monstruoze, siç ishte përdhunimi i personave, veçanërisht i grave dhe vajzave gjatë luftës në Kosovë, më 1998-1999.

“Kjo plagë është mbajtur e heshtur mjaft gjatë”, ka thënë ai.

Por, sipas presidentit Thaçi, falë guximit të grave dhe vajzave, viktima të këtij krimi, janë mbledhur mjaft informata për të kuptuar peshën e rëndë të këtij akti kriminal.

“Për të gjitha këto krime, qytetarët e Republikës së Kosovës, familjet e tyre, por edhe e tërë shoqëria kosovare, kanë nevojë për drejtësi”, ka thënë ai.

Ndërsa, në letrën e katërt, presidenti Thaçi ka thënë se ka inkurajuar Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, që vëmendje e veçantë t’i kushtohet edhe zbardhjes të së vërtetës për shkatërrimin e trashëgimisë së përbashkët kulturore, religjioze dhe historike.

“Sipas studimeve të shumta, mbi 200 objekte apo thënë ndryshe mbi 40 për qind e objekteve të fesë islame dhe 5 kisha katolike janë shkatërruar apo dëmtuar në mënyrë sistematike nga ana e ushtrisë dhe policisë serbe. Po ashtu, edhe pjesë të trashëgimisë ortodokse serbe në Kosovë, të rëndësisë së veçantë historike, janë dëmtuar pas luftës. Deri sa jemi krenarë që gjatë luftës asnjë objekt që i ka takuar kësaj trashëgimie nuk është cenuar, pas luftës ka pasur disa dhjetëra sulme dhe shkatërrime të këtyre objekteve, nga individë apo grupe kriminale. Besoj se të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe komunitetet tjera sikur që është kisha ortodokse serbe, kanë nevojë për një mbështetje dhe inkurajim, duke dëshmuar qasje serioze të organeve të drejtësisë në zbardhjen e këtyre sulmeve të turpshme dhe kriminale”, ka thënë presidenti Thaçi. 

Në disa raste të vetmuara dhe izoluara, sipas presidentit Thaçi, këto sulme kanë pasur edhe primesa të ekstremizmit duke shkaktuar edhe tensione që cenojnë tolerancën tonë shumëvjeçare, dialogun ndërfetar dhe pajtimin ndëretnik.

“Duke respektuar trashëgiminë historike të çdo komuniteti, mund ta marrim në duar të ardhmen tonë dhe të ndërtojmë rrëfimin për të ardhmen e përbashkët, multietnike dhe multifetare të shoqërisë sonë. Kjo është pasuria më e madhe e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në fund, presidenti Thaçi ka shprehur besim të plotë se organet e drejtësisë në Kosovë, me profesionalizmin, me përkushtimin dhe paanshmërinë e tyre, mund t’u japin përgjigje të gjitha këtyre çështjeve.

Ai ka thënë se Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit do ta ketë mbështetjen e të gjithëve për këtë mision.

Zbardhja e së vërtetës për këto raste, sipas presidentit Thaçi, do të rezultonte edhe në fuqizimin e besimit të të gjithë qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme