Pas një skandali që përfshinte punëtorë humanitarë që paguanin gratë në Haiti për shërbime seksuale, u zbulua se një gjë e tillë kishte ndodhur edhe në vende të tjera.
Punëtorët e organizatës humanitare Oxfam duhej të ndihmonin njerëzit lokalë në mes të luftës apo fatkeqësive natyrore, por në fakt ka ndodhur e kundërta në disa vende.
Megjithatë, ka një sasi në rritje të informacionit, dëshmive dhe shpërdorimit të pozitës së këtyre punëtorëve, që përfshin pagimin e të miturve për shërbime seksuale, raporton “b92”, transmeton Periskopi.
Kjo po ndodhte në Kosovë dhe në Bosnje Herzegovinë, sipas gazetës britanike “The Independent”.
“Gjatë udhëtimit tim të parë në Kosovë në vitin 1999, pak pas përfundimit të luftës, shoferi më tha se një numër i madh i bordellove po ndërtoheshin atje afër vendeve ku ishin të pranishëm anëtarë të organizatave humanitare dhe të misionit të OKB-së, sepse shumë njerëz që ishin të vendosur atje shpesh paguanin vajza për seks,” tha gazetarja Julie Bindel.
Ajo shtoi se pa shumë njerëz që hynin në shtëpitë publike, “pavarësisht faktit se shumë prej tyre ishin atje për të këshilluar autoritetet lokale rreth strategjive për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore.”
Bindel gjithashtu përmendi rastin kur Katrin Bolkovac, i cili mbikqyri misionin e OKB-së në Bosnje dhe Herzegovinë, paditi eprorët e saj për një shkarkim të padrejtë në vitin 1999, pasi raportoi se pjesëtarët e misionit paguan shërbime seksuale, dhunonin të miturit dhe morën pjesë në trafikimin e qenieve njerëzore.
Një ish-polic i Filadelfias dhe hetuesi i OKB-së për të drejtat e njeriut në Bosnjë në vitin 2009, David Lembin hetoi akuzat kundër gjashtë zyrtarëve nga Rumania, Fixhi dhe Pakistani, të cilët ishin të vendosur në Bijeljina, të akuzuar për shitjen e grave si skllevër.
Lembin thuhet se gjeti një numër të madh provash për të hapur hetimin, por më pas u përballë me kërcënime fizike dhe autoritetet e tij e penguan qëllimin e tij.
Për Haitin, drejtori i Oxfam pranoi se ai dhe punëtorët humanitarë në zonë përdorën prostituta dhe i paguan ato nga fondi i ndihmës humanitare.
E gjithë kjo ndodhi në Haiti pas tërmetit shkatërrues të vitit 2010, në të cilin u vranë më shumë se 220,000 njerëz, mbi 300,000 të plagosur dhe rreth një milion të tjerë mbetën të pastrehë./Periskopi/