Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi ka refuzuar dekorimin nga Presidenti Hashim Thaçi.
Krasniqi ka thënë që Thaçi nuk është njeriu i duhur për të dhënë dekorata, dhe se një gjë të tillë po e bënë për poena politik. Ndër tjerash ai ka përmendur edhe aferën ‘Pronto’.
“ARSYET PËRSE E REFUZOJ DEKORIMIN E THAÇIT
Veprimtarinë time politike nuk e kam nisur as për pozita, as për pasuri dhe as për dekorime. Kam filluar të merrem me politikë para 45 viteve, thjesht pse e kam dashur lirinë e kombit tim dhe pse Atdheut tim ia kam pasur borxh që t’ia bëj shërbimin pa hile. Kudo ku e kam përfaqësuar vendin dhe kombin tim e kam përfaqësuar pa hile dhe meritueshëm, andaj refuzoj te dekorohem nga Hashimi
Hashimi nuk e ka asnjë kriter të vetëm në dhënien e Mirënjohjeve dhe të Dekoratave. Thjesht, ai po bënë pazare politike me mirënjohje e dekorata.
Të gjitha vendimet dhe veprimet e politike të Thaçi, që nga viti 2010 e këndej, kanë qenë rrënuese për shtetin e kombin. Marrëveshjet e tij me Serbinë nga ajo e 13 prillit 2013 e këndej kanë qenë e janë antishtetërore dhe antikushtetuese. Ai këtë politikë e vazhdon edhe sot. Prandaj e refuzoj dekoratën e tij. dhe
Refuzoj te dekorohem nga Hashimi, i cili personalisht me ka fyer, dhe jo vetëm në aferën “Pronto”. Fyerjet dhe shpifjet i ka filluar qe nga Konferenca e Rambujesë duke ju thënë anëtarëve tjerë të SHP të UCK-së se gjoja unë e ndonjë tjetër në atë Konferencë jemi bërë me “armiqtë e tij politikë”- LDK-në. Natyrisht, unë asnjëherë të vetme, kur ka qenë puna mes interesit partiak e atij kombëtar, kurrë nuk kam hezituar ta zgjedh ketë te dytin. Ky ishte edukimi im, familjar e kombëtar, andaj Refuzoj te dekorohem nga ky njeri dhe ndihem i fyer te dekorohem nga Hashimi!
Me vije keq që ketë duhet ta bej në Ditën e Pavarësie dhe nga institucioni përfaqësues i shtetit – Presidenti!
Prishtinë, Jakup Krasniqi
më 17 shkurt 208″