Ahmeti: Jo bashkim kombëtar, por bashkëpunim me komunat shqiptare në rajon

Sot në Prishtinë, për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, janë takuar kryetarët e komunave të Unionit të Bashkive Shqiptare të Rajonit, të cilët kanë vendosur që të formohet Sekretariati i Unionit me seli në Tiranë për shkëmbim të përvojave me komunat shqipfolëse.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se është absurde që të jenë anëtarë të rrjeteve të ndryshme ndërkombëtare, ndërsa si bashki dhe komuna shqiptare të mos ketë bashkëpunim apo mos të shkëmbehen përvoja, ngase kanë probleme të njëjta.

Ai tha se sot kanë diskutuar për cilësinë e ajrit, për qytete të gjelbra dhe për masat të cilat po i ndërmarrin secila komunë për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

“Ne sot u dakorduam në mbledhje që ta formojmë Sekretariatin Unionit të Bashkive shqiptare, ky sekretariat do të jetë i vendosur në Tiranë dhe më pastaj gjatë këtij viti do ta regjistrojmë. Dhe po ashtu të kemi një staf i cili do të mundohet që të përgatit aplikacionet, por edhe tërë kohën të informojë komunat dhe bashkitë për punët të cilat po bëhen në komunat e tjera. Ideja është që këtë rritje ta bëjmë gradualisht jo vetëm që të kemi një anëtarësi të gjerë, por më të vërtet që ky Union të ketë kuptim. Kur e kemi mbajtur takimin e parë ka pasur zëra të ndryshëm nga qarqet e ndryshme ku thonë: “Po bëhet bashkimi kombëtar, komunat shqiptare po bëhen të gjitha bashkë”. Po e themi edhe një herë që ne po bëjmë shkëmbim të përvojave të komunat shqipfolëse. Është kohë e bashkëpunimeve dhe është absurde të thirret për bashkëpunim me komunat tjera para se të bashkëpunojmë ndërmjet veti”, ka thënë Ahmeti, raporton KP.

Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës ka thënë se ky takim është më rëndësi për shkak se jep një mundësi pikërisht funksionimit më të mirë të komunave shqiptare, dhe si tillë të bëhet ende më operativ pas takimit të sotëm.

“Vlerësoj se ky lloj i bashkëpunimit është i rëndësishëm për shkak se jep një prakticizëm pikërisht funksionit më të mirë të komunave tona dhe si i tillë akoma më tepër bëhet operativ pas takimit të sotëm dhe dëshiroj të shfrytëzoi rastin që të gjithë qytetarëve të Kosovës t’ju uroj dhjetëvjetorin e pavarësisë me dëshirat më të mira për të pasur një shtet të fuqishëm, anëtarë në të ardhmen të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian së bashku me vendet e tjera të rajonit”, ka thënë Arifaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se sot kanë biseduar kryesisht për çështje të pastrimit, gjelbërimit, transportit publik dhe beson se kjo do të fuqizohet si një platformë konkrete

“Ky në një farë mënyre është Unioni i kryetarëve të bashkive Albanofone, të njerëzve të shqipes, kështu që në këtë sens nuk ka kurrfarë drame mbi atë që po realizojmë dhe s’ka kurrfarë agjende sekrete, sot kemi fol kryesisht për çështje të pastrimit, gjelbërimit, transportit publik dhe besoj që do të vazhdojmë ta fuqizojmë këtë si një platformë konkrete, pragmatike dhe realiste për çfarë mund të bëjnë komunat dhe bashkitë tona. Jam shumë i lumtur që Tirana do të mik pres Sekretariatin apo selinë e Unionit, tashmë kemi vendosur të ndajmë edhe pak financa për ta fuqizuar këtë. Tashmë Tirana është një qendër rajonale”, ka thënë Velija.

Shqiprim Arifi, kryetar i Komunës së Preshevës, duke uruar dhjetëvjetorin Pavarësisë së Kosovës, ka thënë se me takimin e sotëm kanë vendosur bazën e së ardhmes së Unionit që ka për qëllim të shërbejë për të gjithë shqiptarët.

“Kemi vendosur disa themele për të ardhmen e Unionit, më rëndësi të veçantë është që të jetë një Union që ka ndikim në bashkëpunim ndër komunal dhe kështu që në këtë kontekst të gjitha këto na shërbejnë neve, qytetarëve tanë dhe misionit tonë që të kemi bashkia të cilat i shërbejnë qytetarëve dhe ta ngulisim të gjithë në kokë se kjo është gjithë e jona. Kështu që është një garë për të mirë, është një garë për të ardhmen dhe një garë për shqiptarët”, theksoi Arifi.

Arben Taravari kryetar i komunës së Gostivarit me këtë rast ka uruar qytetarët e Kosovës për Pavarësi dhe ka thënë se Unioni i komunave shqiptare është model i shteteve evropiane për të bashkëpunuar njëra me tjetrën.

“Ky është trend evropian që qytetet ndërmjet veti apo komunat të bashkëpunojnë njëra me tjetrën. Unë tash jam kryetari i ri i porsa zgjedhur qe afër katër muaj, e mora ftesën që të bashkëngjitëm Unionit të bashkive shqiptare dhe për mua është kënaqësi shpresoj që edhe në periudhën e ardhshme këto tetë komuna që i kemi tash të zgjerohemi dhe të bëjmë sa më shumë dhe të bashkëpunojmë sa më shumë”, ka thënë Taravari.

Në takimin e dytë, këtij Unioni i janë bashkuar edhe komuna e Gostivarit, komuna e Prizrenit dhe po ashtu bashkia e Fierit, dhe numri total i komunave shqiptare në këtë Union ka arrit në tetë. Në takimin e sotëm kanë marr pjesë edhe Mytaher Haskuka, kryetar i Komunës së Prizrenit dhe Arian Murati, nënkryetar i Komunës së Ulqinit.

Takimi i radhës së Unionit do të mbahet në Tetovë në tetor të këtij viti./SAKTE.NET

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme