Policia e Kosovës ka treguar se gjatë manifestimit të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, situata ka qenë e qetë dhe nuk ka pasur incidente.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka thënë për Gazetën Insajderi se situata e sigurisë dhe rendit publik e ndërlidhur me festimet dhe aktivitetet organizative në përgjithësi ka qenë e qetë, ka kaluar mirë dhe nuk janë shënuar incidente që kanë mundur të ndikojnë në mbarëvajtjen e aktiviteteve manifestuese.
Ndërsa jashtë aktiviteteve për përvjetorin e pavarësisë, Hoxha thotë se janë evidentuar incidente të natyrave të ndryshme, por te cilat incidente janë menaxhuar nga Policia e Kosovës sipas procedurave të parapara ligjore.
“Gjatë ditëve festive edhe gjendja në trafikun rrugor ka qene më e qetë se herëve tjera, nuk ka pasur aksidente fatale, si dhe numri i aksidenteve me lëndime trupore dhe me dëme materiale ka qene i një trendi në rënie, respektivisht ka pasur më pak aksidente rrugore”, ka thënë Hoxha.
Gjithashtu Policia e Kosovës thotë se është falënderuese ndaj qytetarëve për bashkëpunimin që kanë pasur gjatë ditëve të festës.
“Policia e Kosovës ka realizuar me sukses planin e saj të veqant operativ për menaxhimin e situatës së sigurisë dhe mbajtjen e rendit gjatë zhvillimit të aktiviteteve manifestuese për shënimin e vitit jubilar të shtetësisë së vendit, dhe njëkohësisht falenderojmë qytetarët e Republikës së Kosovës, institucionet dhe gjithë mysafirët pjesmarrës tjerë në këto aktivitete për bashkëpunimin dhe mirkuptimin e shfaqur me autoritetet e rendit në aspektin e sigurisë gjatë gjithë këtij procesi”, ka thënë Hoxha.