Kur kanë mbetur edhe dy ditë deri kur gjykata e Apelit do të vendos nëse do ta vërtetoj aktvendimin e shkallës së parë me të cilin janë dënuar katër aktivistë të VV-së, apo do ta hedh poshtë, avokati i deputetit Frashër Krasniqi ka bërë të ditur se kanë një dokument që vërteton se kush ka dëshmuar rrejshëm në rastin e aktivistëve.
Gjatë një tryeze të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur dënimin e aktivistëve dhe rezolutën e nxjerrë nga debati parlamentar, avokati Gashi ka thënë se i gjithë rasti i aktivistëve të VV-së është politik.
“Gjithmonë ka qenë më e dhimbshme që ta pranojnë vrasjen e Astrit Deharit dhe më pak e dhimbshme ka qenë që t’i shpallim fajtorë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Për të mos mbetur borxh nesër ne do të publikojmë, por paraprakisht do ta dërgojmë në Gjykatën e Apelit një dokument i cili vërteton se kush kanë qenë ata apo ai që ka dëshmuar rrejshëm në rastin e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe vërtetohet me dokumente që detyrimisht Gjykata duhet t’i besoj”, tha Gashi.
Gashi ka thënë se ka qenë diçka sipas tij tepër shokuese dhe e rëndë që qëllimisht kurrë nuk është zbuluar, se ka qenë një letër e cila nuk është djegur ani pse ka qëndruar mbi motorin gjysmë të djegur dhe se në të ka qenë një numër i telefonit të një personi që ka punuar në njërën nga Ministritë gjatë vitit 2016.
“Ka qenë një letër me numër të telefonit të një personi që ka punuar në njërën prej Ministrive të Qeverisë së Republikës së Kosovës në vitin 2016 që është gjetur në motorin gjysmë të djegur. Deri në ditën e sotme ai numër ka qenë i lexueshëm krejtësisht e kemi edhe ne, kurrë nuk është zbuluar se cilit zyrtar të qeverisë të Republikës së Kosovës i ka përkitur ai numër, do të thotë kush ka qenë bartës i atij numri. Vetëm është thënë që i një zyrtari të një ministrie të Qeverisë së Republikës së Kosovës, por nuk është bërë publike kurrë se kush e ka përdorur këtë numër telefoni që është gjetur i lëshuar në motorin gjysmë të djegur që është pretenduar se e kanë vozitur aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Gashi.
Të gjithë procesin kundër aktivistëve të VV-së e ka quajtur politik kryetari i kësaj partie Albin Kurti.
Ai e ka lidhur me atë se ata kishin qenë kundërshtues të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe të demarkacionit me Malin e Zi.
Kurti: Baza e arrestimit të aktivistëve ishte pushteti i cili po na persekutonte
“Sulmi në ndërtesën e Kuvendit është kryer me 4 gusht të vitit 2016, tri javë në vijim pas këtij sulmi Policia e Kosovës ka hetuar katër persona të tjerë, me 29 gusht, ajo i arrestoj gjashtë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo tregon se kanë dështuar hetimet e policisë dhe se duhej zgjedhur një fajtor për sulmin në ndërtesën e Kuvendit pra nevojitej një fajtor. Fajtori u përzgjodh nga radhët e opozitës, nga radhët e kundërshtarëve të pushtetit, nga radhët e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Baza e arrestimit të aktivistëve tanë me 29 gusht të vitit 2016 Frashërit, Atdheut, Adeas, Egzonit, Petritit e Astritit nuk ishin provat e as faktet, por pikërisht pushteti i cili po na persekutonte”, tha Kurti.
Ndërsa, sa i përket Rezolutës së nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës, Kurti tha se shteti i Kosovës i shpallur i pavarur këtu e 10 vjet më parë është Republikë parlamentare andaj sipas tij vendimi i Kuvendit është obligues për institucionet.
Politik e ka quajtur të gjithë procesin edhe shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca, i cili tha se në atë kohë pushtetit ju ka nevojitur një ngjarje për të inkriminuar opozitën.
“Mendoj që tek ky aktgjykim ka pasur peshë vendimtare vdekja e Astrit Deharit, pikërisht pse pushteti hyri deri në ato faza shumë të ndërlikuara të inkriminimit të vazhdueshëm deri në përgjegjësinë direkte për vdekjen e Astrit Deharit, unë mendoj që ka qenë po ashtu urdhër politik që ana tjetër e kësaj medalje të jetë dënimi i aktivistëve të VV-së. Që pushteti të shfajësohet në një mënyrë prej të gjitha atyre në raport me të cilat ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Me thënë që tash shikoni këtu ka ndodhur një akt shumë i madh terrorist, aktin terrorist e justifikon dënimi 21 vjet kështu që krejt kjo u përmbyll me këto gjëra që janë tragjike në mesin e të cilave edhe vdekja e Astrit Deharit”, tha ai.
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me 21 vjet burg deputetin e Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, si dhe tre aktivistët e tjerë të kësaj partie, Atdhe Arifi, Adea Batusha dhe Egzon Haliti, të cilët akuzoheshin për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.
Ndërsa, me 22 shkurt Gjykata e Apelit do të vendos nëse do ta vërtetojë aktvendimin e shkallës së parë me të cilin janë dënuar katër aktivistë të VV-së, apo do ta hedh posht.