Në gjykimin e Vukotiqit, dëshmitari rrëfen si ia vranë djalin

Në gjykimin e Zoran Vukotiqit, i akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile, sot kanë dëshmuar Gazmend Shabani dhe Muhamet Rrustolli.

Dëshmitari i parë tha se në kohën për të cilën bëhet fjalë në aktakuzë ka qenë 15-vjeçar dhe se ka jetuar te halla e tij, Shukrije Osmani dhe burri i saj Bejtë Osmani, të cilët, sipas tij, e kanë pasur shtëpinë afër Shkollës së Policisë në Vushtrri.

Gazmend Shabani tregoi se më 5 maj 1999 rreth orës 12:00 kishte ndodhur një rast në të cilin ishin vrarë Enver Rrustolli, Hamdi, Fahredin dhe Avdulla Fazliu në shtëpinë e tani të ndjerit Hamdi Fazliu.

Më pas dëshmitari tregoi se çka kishte ndodhur kur në shtëpinë ku kishte qenë ai kishin shkuar dy policë së bashku me tani të ndjerin Fahredin Fazliun.

“Ka trokit dera, halla ka dalë e ka hapë. Kanë hyrë policët në fjalë dhe i ndjeri Fahredin Fazliu. Na kanë shti në një dhomë të vogël. Burrin e hallës e kanë përshëndetur: “Selam Alejkum”, ndërsa babait tim i kanë thanë serbisht: “Ku je Skendo qysh i ki kompjuterat”. Pastaj kanë fillu me na rrahë dhe me na maltretu “, tha dëshmitari.

Sipas dëshmitarit, i cili në atë kohë kishte qenë vetëm 15 vjeçar, në shtëpinë e tyre kishin hyrë dy policë. Njëri prej tyre kishte qenë më i dobët, i vogël dhe me maskë, kurse tjetri i cili e kishte pasur fytyrën e ngjyrosur kishte qenë më i shëndoshe dhe në dorë kishte mbajtur një thikë dhe një pistoletë.

Tutje dëshmitari tregoi se si hallës së tij njëri nga këta policë ia kishte vizatuar në ballë një kryq, ndërsa ajo e kishte fshirë.

“Kanë fillu prej te halla, njëri nga policët ia ka vizatu një kryq në ballë ndërsa halla e ka fshi. Sa herë që e ka fshi prapë ia kanë vizatu. Dhe ai i ka thanë burrit të hallës: Thuaj shoqes tënde mos e fshij se pësoni më keq“, tha dëshmitari.

Më pas dëshmitari tregoi se si ishin rrahur nga këta dy policë, ndërsa ai të cilin ai e identifikonte si më i shëndoshë kishte kërkuar para në gjuhën serbe.

Më pas e kishin marrë edhe vetë dëshmitarin duke e nxjerrë në korridor, ku më pas njëri nga policët ia kishte vënë thikën në fyt.

Gazmend Shabani theksoi se më herët nuk i kishte njohur këta policë por se babai i tij i kishte treguar pas kësaj ngjarjeje se personi i shëndoshë ka qenë polici Zoran Vukotiq ndërsa personi tjetër kishte punuar në Postë dhe emrin e kishte pasur Gorolub Paunoviq.

Në këtë seancë dëshmoi edhe 75-vjeçari, Mehmet Rrustolli, babai i tani të vrarit Enver Rrustolli.

Pasi që u pyet nga prokurori se a e mban mend ditën kur ishte vrarë Enver Rrustolli, dëshmitari u përgjigj se e mbante në mend sikur të kishte ndodhur sot.

“Si sot më 5 maj, unë kam qenë në shtëpinë time kur ka ardhë Hamdia duke thënë: O Enver, kanë hi policia, m’i kallen robët, m’i mytën. A ki pare t’shkojna t’i pshtojna?“, tha dëshmitari.

Më pas Rrustolli tregoi se ai ia kishte dhënë djalit të tij Enver Rrustollit 6000 deri në 6500 marka të atëhershme dhe më pas ai së bashku me Hamdi Fazliun kishin shkuar në shtëpinë e të njëjtit.

“Enveri bashkë me Hamdinë kanë shku në shtëpinë e tij, tani kanë bërtit: “O vallahi i vranë!”. Kur kam shku me gruan e kena gjetë Enverin mbas kauçi, i rridhte gjaku, edhe ata tjerët i kena kthy qysh i kthejnë xhenazet (kufomat )“, rrëfeu dëshmitari.

Tutje dëshmitari tregoi se si i kishte gjetur të vrarit në shtëpinë e tani të ndjerit Hamdi Fazliut.

“Enverit i rridhte gjaku mbrapa në shpinë. Ai ka qenë i vdekur kur kam mbërri unë. Edhe Hamdia e Fahredini po ashtu. Ndërsa Avdullahi ka qenë i gjallë deri vonë “, tha dëshmitari.

Më pas dëshmitari tregoi se të nesërmen të katër të vrarit ishin varrosur në varrezat e Vushtrrisë nga ai dhe nga disa njerëz të një kompanie “ Përparimi nga Vushtrria siç shpjegoi dëshmitari.

“Unë me një kojshi kemi shkuar në stacioni policor te Vuqina. I thash shok komandant ma kanë vra djalin dhe tre kojshi. Ai më ka thanë: Kush i ka vra? Unë i kam thanë që nuk e di. Masandej kanë ardhë “Përparimi“ na bashkë me kojshitë i kena qitë kufomat në rimorkio, dhe na kanë thanë këta duhet me nejtë gjithë natën në Kooperativën Bujqësore. I kanë çu kufomat në Kooperativën Bujqësore, i kanë lanë gjithë natën tani të nesërmen në orën dy i kanë varros“, tha dëshmitari.

Krejt kjo kishte ndodhur në ditën e enjte të 5 majit 1999, ndërsa varrimit i të vrarëve ishte bërë të nesërmen në orën 2:00. Në varrimin e të birit dhe të fqinjve kishte marrë pjesë edhe vetë dëshmitari Mehmet Rrustolli.

Ndryshe, kjo është vetëm njëra nga tri aktakuzat e ngritura kundër Zoran Vukotiq, ku po akuzohet për vrasjen e katër shqiptarëve si dhe rrahjen dhe maltretimin e shumë të tjerëve në rrugën e atëhershme “Emin Duraku“.

Sipas aktakuzës, Zoran Vukotiq, gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në rrugën “Emin Duraku”, në bashkëkryerje me të akuzuarin Gorolub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit të Policisë serbe, të veshur me uniforma të Policisë dhe Ushtrisë serbe dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, kanë rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm civilë të nacionalitetit shqiptar nëpër oborre dhe shtëpitë e lagjes.

Më tej, aktakuza përshkruan se me dashje ka rrahur e pastaj edhe ka vrarë katër persona civilë shqiptarë të identifikuar si: Enver Rrustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu, në shtëpinë e familjes Fazliu.

Prokuroria pretendon se fillimisht të njëjtit e kanë ndalur Fahredin Fazliun e më pas e kanë dërguar në oborrin e shtëpisë së Hamdi Fazliut.

Në hyrje të shtëpisë ndodheshin Sanije Zhushi- Fazliu dhe kunata e saj Fikrije Fejzullahu. Të akuzuarit më pas kanë filluar ta rrihnin Fahredin Fazliun së bashku me dy gratë e lartcekura duke iu kërkuar të holla.

Në ndërkohë, gjithnjë sipas aktakuzës, njëri nga të akuzuarit kishte dalë jashtë shtëpisë dhe pas pak ka hyrë përsëri në shtëpi së bashku me Fahredin Avdulla – Fazliun, të cilin e kishte sjellë me dhunë.

Pas këtyre veprimeve, babai i Fahredin Fazliut, Hamdiu, së bashku me fqinjin Enver Rrustolli, pasi kishin dëgjuar se çfarë po ndodhte, me qëllim që t’i shpëtojnë, kanë hyrë në shtëpi për t’u ofruar të holla të akuzuarve.

Por, të akuzuarit vazhduan t’i rrihnin ata, ku në sy të grave të lartcekura edhe i vranë.

Vukotiq së bashku me personin tjetër, pas këtij veprimi u larguan nga vendi i krimit.

Pika e dytë e aktakuzës ngarkon Vukotiqin se ka vepruar në mënyrë çnjerëzore ndaj civilëve të nacionalitetit shqiptar, me dashje ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të 17 të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar dhe shkaktuar lëndime të rënda fizike dhe psikike, pasoja të cilat të dëmtuarit i bartin ende.

Vukotiq ngarkohet edhe se me dashje dhe dhunshëm ka plaçkitur të holla në shuma të ndryshme, flori dhe gjëra tjera të çmueshme nga civilët e nacionalitetit shqiptar, konkretisht nga 8 të dëmtuar dhe njëkohësisht dëshmitarë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme