Avokati i njohur Richard Harvey ka bërë me dije se Gjykata Speciale është një padrejtësi që po i bëhet popullit të Kosovës.
Në këtë deklaratë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se për një kohë të gjatë Kosova është trajtuar padrejtësisht nga komuniteti ndërkombëtar në shumë aspekte.
Avokati Harvey, i cili në Gjykatën e Hagës ka mbrojtur ish-ushtarët e UÇK-së, Lahi Brahimaj dhe të ndjerin Haradin Bala, ka vlerësuar se drejtësia rrallë shërbehet duke ngritur gjykata për të hetuar vetëm një palë në një konflikt.
“Besoj se populli i Kosovës për një kohë të gjatë është trajtuar padrejtësisht nga komuniteti ndërkombëtar në shumë aspekte”, ka thënë Harvey.
Pritjet e avokatit Harvey janë që Gjykata Speciale nuk do të mund të bëjë asgjë më shumë se gjykatat e UNMIK-ut, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës dhe gjykatat e EULEX-it.
Madje ai është shprehur se do të befasohej shumë nëse Gjykata Speciale do të mund të siguronte dëshmi serioze në lidhje me ndonjë krim të rëndë që nga koha e luftës.
“Pas kaq shumë vitesh dhe shumë hetimesh nga ICTY, UNMIK-u dhe EULEX-i, me të gjitha resurset në dispozicion të tyre, do të isha shumë i befasuar nëse do të mund të prodhoheshin dëshmi serioze dhe të besueshme që do të siguronin prova përtej dyshimit të arsyeshëm në lidhje me ndonjë krim të rëndë nga koha e luftës”, është shprehur avokati Harvey.