Para aplikimit për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, Kosova sipas shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, duhet të bëjë një vlerësim të realitetit, shkruan sot Koha Ditore.
Në këtë kontekst ajo ka përmendur faktin që pesë shtete të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën, si dhe reformat që, sipas saj, Kosova duhet të bëjë në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, si dhe reformën në administratën publike.
Këto komente Apostolova i ka bërë në diskutimin e organizuar në kuadër të projektit “Forum 2015”, nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur, të mbajtur me rastin e publikimit të analizës “Momenti i ri i zgjerimit të BE-së, çfarë mund të përfitojë Kosova”, të gazetarëve Augustin Palokaj dhe Gjeraqina Tuhina. Si konkluzë e analizës së dy gazetarëve që raportojnë nga Brukseli, ka dalë që pas paqartësisë së të ardhmes evropiane të Kosovës të paraqitur në Strategjinë e zgjerimit të BE-së, Kosova duhet të aplikojë për ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.