Rikthimi i fruthit, pasojë e mosvaksinimit

Në dy muajt e parë të vitit 2018, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, nuk është shënuar rënie e fluksit të pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga fruthi.

Mbi një mijë pacientë, që nga qershori i vitit 2017, kanë qenë të shtrirë në Klinikën Infektive me shenja klinike të fruthit.

Infektologët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës thonë se për 16 vjet me radhë nuk ishin paraqitur rast me fruth në Kosovë, deri në muajin mars të vitit të kaluar, kur edhe kishin filluar të paraqiten rastet e para. E gjithë kjo situatë, po ndodhë pavarësisht që Kosova radhitet në mesin e vendeve me përqindje të lartë të vaksinimit.

Sipas statistikave zyrtare, rreth 95 për qind e fëmijëve janë të vaksinuar. Bazuar në të dhënat e autoriteteve vendore, përqindja e lartë e vaksinimit ka rezultuar suksesshëm deri së voni në parandalimin, rrallimin apo edhe zhdukjen e shumë sëmundjeve.

Infektologu Sali Ahmeti tha për Radion Evropa e Lirë se fluksi i pacientëve në dy muajt e fundit, ka qenë i madh, ndonëse asnjë rast gjatë këtij viti nuk ka përfunduar me fatalitet.

“Në vitin 2017 ka pasur shumë raste me fruth. Numri me intensitet të njëjtë vazhdon të shfaqet edhe gjatë këtyre dy muajve të këtij viti në mënyrë të vazhdueshme. Sipas rasteve që i kemi hospitalizuar, janë mbi një mijë raste, dhe sa i përket konfirmimit të sëmundjes, ka rezultuar se numri i të prekurve është më i vogël, por që mbi një mijë kanë pasur manifestime klinike me fruth”, tha Ahmeti.

“Raste të vdekjeve këtë vit nuk ka pasur, ndonëse ka raste me komplikime, por që fatmirësisht këtë vit nuk ka vdekur askush”, theksoi ai.

Infektologu Ahmeti shtoi tutje se shpërthimi i epidemisë së fruthit ka të bëjë me mosvaksinimin e fëmijëve, meqë ka pasur fushata kundër vaksinës së fruthit në gjithë botën, sipas të cilës thuhej se ajo shkakton edhe autizëm.

“Realisht gjendja e luftës dhe pas luftës përkon me shfaqjen e fruthit, pasi që disa persona i kanë ikur vaksinimit, për shumë arsye, dhe kohëve të fundit kanë qenë të lansuara thënie për efektet anësore të vaksinimit dhe ato fushata kanë shtyrë njerëzit të mos i vaksinojnë fëmijët dhe kjo ka çuar deri tek një shpërthim i tillë”, tha Ahmeti.

Por, epidemiologia Isme Humolli nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik thotë se vaksina kundër fruthit, sipas të gjitha hulumtimeve të bëra, nuk ka rezultuar se ka efekte anësore.

“Ajo çka jemi ballafaquar në vitin 2017, është pikërisht pasojë e mosvaksinimit të fëmijëve, e që ka pasur propagandë që vaksina kundër fruthit shkakton autizëm. Të gjitha hulumtimet shkencore dhe referencat që janë deri më tani, dëshmojnë se nuk ka fare lidhje vaksina me autizmin. Nuk ka bazë shkencore për efekte anësore, përkundrazi është vaksinë efikase”, tha Humolli.

“Në Kosovë qe shumë vite nuk kemi pasur fruth, dhe pikërisht mosvaksinimi ka shkaktuar këtë shpërthim që jemi përball me fruth, dhe nuk do të thotë që edhe më tej nuk do të përballemi”, thekson ajo.

Ndryshe, sipas një komunikate të zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Prishtinë, vala e madhe e sëmundjes së fruthit në vitin 2017 ka përfshirë shpërthime të mëdha 100 apo më tepër raste në 15 nga 53 shtetet në rajon.

Fruthi është një sëmundje ngjitëse dhe serioze e shkaktuar nga një virus që përhapet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë dhe përmes ajrit.

Ky virus mund të përhapet shpejt, sidomos në ato vende ku vaksinimi është nën shifrat 95 për qind të popullsisë. (REL)

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme