Nën organizimin e Këshillit të familjarëve të të burgosurve shqiptarë në Maqedoni, sot është mbajtur protestë në Sheshin Skënderbeu në Çarshi të Shkupit, në shenjë revolte për rastet e montuara gjyqësore që nga viti 2001, raporton Portalb.mk.
Përpara protestuesve mbajti fjalim kryetari i Shoqatës së të burgosurve politik shqiptar, Shpëtim Pollozhani, i cili tha se pothuajse të gjithë shqiptarët, dënohen në bazë të dëshmitarëve të fshehur, apo siç i quajti ai të dëshmitarëve të shpifur.
“Neve sot na kanë mbledhur vendimin e kësaj gjykate dhe jo vetëm. Ne sot protestojmë kundër dënimeve drakonike që u janë dhënë shqiptarëve po nga kjo gjykatë, dhe pothuajse të gjitha në bazë të dëshmitarëve të fshehur – të shpifur. Protestojmë kundër dhjetëra shkeljeve procedurale që nga momenti i burgosjes e deri në vuajtjen e dënimit. Protestojmë për arsye se kjo gjykatë është pjesë e një sistemi të korruptuar të drejtësisë për arsye se: Departamenti i Shtetit Amerikan, Komiteti i Helsinkit, dhe të gjitha institucionet në botë që merren me shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut e thonë të njëjtën gjë. Kundër dënimeve në bazë të dëshmitarëve të fshehur, më mirë të themi të shpifur. Protestojmë kundër mosmarrjes parasysh të dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja. Kundër maltretimit të burgosurve duke i shpërndarë në burgjet nëpër qytete të ndryshme, që t’i pesëfishojnë shpenzimet e familjarëve”, tha Pollozhani, duke folur edhe për kushtet, mizore nëpër burgjet në Maqedoni, ku sipas tij, nuk ka kushte themelore.
Pollozhani ka bërë thirrje deri te institucionet kompetente që të përmirësojnë kushtet, por edhe të ndalet korrupsioni nëpër burgje, ndërkaq nga Avokati i Popullit kërkoi që të “ngjallet” pasi që sipas tij, me reagimet e tij, nuk ka prodhuar efekt deri më tani. Pos tyre, ai kërkoi nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, Hëna e Kuqe dhe Komiteti i Helsinkit, që bashkë me Shoqnatën e Ish të Burgosurve Politik Shqiptarë t’i vizitojnë burgjet dhe t’i shohin kushtet e burgjeve.
Përpara të pranishmëve, u lexua edhe letra e motrës së Almir Almiut, të vrarit 5 vjeçarë nga Kumanova, në një rast verbal në vitin 2016.
“Unë jam motra e një vëllait të vrarë. Vëllai im quhej Almir, shkonte në shkollë, qeshte, luante, qante dhe ëndërronte si çdo fëmijë, por një ditë në shtëpi, në vend që Almiri të bënte detyrat e shkollës, kishim arkivolin e tij. Çdo gjë ndryshoi përjetë në familjen tonë. Nëna qanë çdo orë, çdo ditë, çdo kohë… babai është mbledhur dhe është kthyer në një burrë të shtypur nga dhimbja kurse unë…?! Unë dua vëllain tim! Edi që atë e ka marrë Zoti, por të paktën dua të shpëtoj të gjithë ata fëmijë të tjerë të cilët mund të bëhen viktima të një inati të sëmurë si Almiri! Të gjithë burra dhe gra, edhe unë, sot jemi Almir, e i qëndrojmë drejtësisë përballe për t’i kërkuar që kriminelët si ti që hakmerren mbi fëmijët, duhet të dënohen si vrasës!”, thuhej në letrën e motrës së Almirit, duke kërkuar drejtësi për vrasësin e vogëlushit.
Përpara të pranishmëve, foli edhe familjari i të burgosurit me burg të përjetshëm, Rexhail Qerimi në rastin “Alfa”, i cili tha se të dënuarit mbahen në burg pafajësisht.
“Që nga vitit 2008 është i montuar dhe tash e 10 vite, vëllezërit tonë rrinë në burg pa pikë faji. Ju falënderoj, protestuesit, gazetarët, televizionet dhe organizatorët e protestës”, tha familjari i rastit Alfa.
Pos tij, fjalim mbajtën edhe disa nga familjarët e të burgosurve në rastin “Lagjja e Trimave, të cilët kërkuan që të ketë rigjykim për procesin gjyqësor, i cili, sipas familjarëve është i montuar politikisht.
Pas kësaj, protestuesit, simbolikisht kanë marshuar deri te Gjykata e Apelit, ku edhe atje kanë shprehur revoltën e tyre.