Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Atdhe Arifi, i cili dje së bashku me Egzon Halitin dhe Frashër Krasniqin u liruan nga paraburgimi, në një intervistë ka bërë të ditur se ata që janë dorëhequr nga Vetëvendosja nuk mund t’i konsideroj më si shokë.
“Për me gjet shoqni ose për me dal me pi kafe, dal në qytet dhe krijoj shoqëri, pra në këtë kuptim, ata që nuk i kam futur në listë për të më vizituar në burg, pra këta që kanë dhënë dorëheqje nga Lëvizja, këta i kam njoftuar në Vetëvendosje dhe nëse këta vendosin që të dalin nga Vetëvendosje këta ma nuk janë shokë të mi dhe për këtë arsye nuk i kam futur në listë dhe s’do t’i fus kurrë”, tha aktivisti Atdhe Arifi.
Ai thotë se e ka ditur për bindjen e Frashër Krasniqit, megjithatë raporti mes tyre ka qenë korrekt mirëpo s’kanë diskutuar për çështje të brendshme me Vetëvendosjen.
“Kemi diskutuar për rutinën e burgut, për ushtrimet, për leximin, për filmat, kurse sa i përket pjesës politike nuk kam parë që do të ketë ndonjë rezultat, sepse një minus një bëjnë zero. Kur një pol është i kundër me polin tjetër, ato kur të ndeshen nuk japin ndonjë rezultat. Pra e kemi ditur që s’mund të ndikojmë në bindjen e njëri tjetrin”, tregon Atdhe Arifi se pse nuk kanë diskutuar me Frashër Krasniqin.
Ai nuk e ka komentuar dorëheqjen e Frashër Krasniqit, duke thënë se është e drejtë e tij të vendosë.