Presidenti Hashim Thaçi dhe Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, kanë mbajtur një konferencë për media pas takimit prapa dyerve të mbyllura, ku ishin të pranishëm edhe Federica Mogherini e Johannes Hahn, si dhe liderët tjerë të Kosovës, Veseli e Haradinaj, raporton Gazeta Metro.
“Kosova kërkon qartësi në trajtim nga insitucionet e BE’së drejt integrimeve”, tha Thaçi, i cili shtoi që dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me marrëveshje të detyrushme kontraktuale me detyrim ligjor që do t’i jepte fund konliktit qindravjeçar mes dy vendeve.
Thaçi shtoi që në takim u diskutua edhe për liberalizimin e vizave, por tha që nuk do të komentojë më shumë për arsyen përse Kuvendi dështoi sot ta ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit, si kusht për heqjen e vizave.
Në anën tjetër, Juncker tha që Kosova dhe Ballkani perëndimor në përgjithësi duhet të koncentrohet në reformat që dalin nga Strategjia e BE’së për këto shtete.
“Është esenciale që Kuvendi ta votojë sa më shpejt marrëveshjen për demarkacionin, pasi është një hap kyç dhe i pashmangshëm drejt lëvizjes së lirë për qytetarët”, tha Juncker.
Ai shtoi që nuk është i kënaqur që kosovarët të jenë të vetmit që nuk po mund të lëvizin lirshëm në BE, por që liberalizimi do të ndodhë me plotësimin e kushteve.
Gjithashtu, Juncker tha që marrëdhëniet Kosovë-Serbi do të rregullohen përmes një marrëveshje kontraktuale pas dialogut. /gazetametro.net