Sistemi vjetor i vlerësimit i ka renditur pasaportat e Singaporit dhe të Japonisë si më të fuqishmet për vitin 2018.
Këto dy shtete e kanë mposhtur Gjermaninë nga renditja e vitit të kaluar, sipas indeksit të përpiluar nga kompania ligjore ‘Henley & Partners’, transmeton Telegrafi.
Në këtë indeks gjithashtu tregohet se pasaporta britanike mbetet në vend të katërt, ndërkaq SHBA-të në vendin e pestë.
Këto renditje publikohen çdo vit dhe bazohen në numrin e shteteve që një pasaportë mund t’i jap qasje një personi për t’i vizituar pa pasur nevojë të merr vizë.
Pasaportat e Singaporit dhe Japonisë ua mundësojnë qytetarëve të tyre t’i vizitojnë pa viza gjithsej 180 shtete përgjatë globit.
Në vendin e dytë është Gjermania, e cila e ka lëshuar fronin e pozitës së parë. Gjermanët mund t’i udhëtojnë gjithsej 179 shtete pa viza.
Në pozitën e tretë gjenden së bashku pasaportat e Francës, Italisë, Spanjës, Danimarkës, Finlandës, Suedisë dhe Koresë së Jugut – që të gjitha kanë qasje pa viza në 178 shtete.
Pasaporta e Britanisë është e katërta, ku britanikët mund t’i vizitojnë 177 shtete pa viza, krahasuar me vitin e kaluar që kanë mundur 173 shtete.
Në këtë indeks gjendet edhe Kosova, e cila fatkeqësisht është e renditur në pozitën e 97’të bashkë me Iranin, Libanin dhe Bangladeshin.
Në anën tjetër, Shqipëria është e renditur e 54’ta bashkë me Gjeorgjinë dhe Belizen.
Më poshtë e keni një fotografi në të cilën e keni listën e plotë të shteteve dhe pozitën në të cilën renditen sa i përket fuqisë që kanë pasaportat e tyre. /Telegrafi/